'Burg, burg, burg'/ 30 organizata kundër Ramës: Johumane dhe në dhunim të të drejtave themelore

Tridhjetë organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut protestuan me fjalë të ashpra ndaj propozimit të kryeministrit Edi Rama për ndryshime në kodin penal dhe vendosjen e dënimeve të ashpra ndaj atyre që kryeministri gjykon se rrezikojnë përhapjen e sëmundjeve infektive.

Organizatat i konsideruan propozimet si johumane, disporporcionale dhe që mund të krijojnë bazë për vendime arbitrare. Organizatat u ankuan veçmas për faktin që ndryshime të tilla në ligjet më të rëndësishme të vendit, po kryhen në kushtet e gjendjes së katastrofës natyrore dhe jo në kushte normale ndërsa qeveria nxiton të instalojë vepra të reja penale pa u mbështetur në studime të thelluara mbi nevojën dhe efikasitetin e masave të tilla.

“Në kushtet kur organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut po rekomandojnë në mbarë globin uljen e popullatës në sistemin e burgjeve, për shkak të rrezikut të shtuar që kanë shtetasit e privuar nga liria në institucionet e mbyllura për t’u prekur nga Covid 19, në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohen propozime ligjore që vijnë në kundërshtim me këto rekomandime,” thuhet në deklaratë.

“Organizatat që ne përfaqësojmë ngrejnë sot shqetësimin për ndryshimet e fundit të propozuara në Kodin tonë Penal, të cilat dënojnë penalisht disa forma të mosbindjes së qytetarëve ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore (neni 242/1) dhe disa forma të shkeljes së rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive (242/2). Në vlerësimin tonë, dënimet penale të propozuara në Kodin Penal janë jo proporcionale, nuk respektojnë parimin e humanizmit të parashikuar në nenin 1/c të Kodit Penal si dhe cenojnë liritë dhe të drejtat e shtetasve,” vijon më tej deklarata.

“Propozimet ligjore parashikojnë dënime tejet të ashpra që shkojnë deri në 15 vite burg dhe cenojnë dinjitetin njerëzor, në kushtet kur ritheksojmë se shumica dërrmuese e shtetasve shqiptarë janë kufizuar nga liria e lëvizjes dhe po qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre. Këto dënime janë jopropocionale, pasi çdo dënim duhet të jetë në një raport të drejtë me rrezikshmërinë e veprës penale dhe me shkallën e fajit të autorit,” shkruhet në letrën që i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, të cilit i kërkohet të rrëzojë këto propozime.

Organizatat e shoqërisë civile kanë kritikuar në terma të ngjashëm një numër të lartë propozimesh ligjore të kryeministrit Edi Rama, përfshirë paketën anti-KÇK dhe Ligjin e Medias. Qeveria në të gjitha rastet ka vijuar përpara me propozimet ndërsa Kuvendi i Shqipërisë është treguar veçanërisht i bindur ndaj vullnetit të kryeministrit. Në rastin e Ligjit të Medias, socialistët u detyruan të tërhiqen vetëm pas presionit të paprecedent ndërkombëtar, përfshirë nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës.

Shqipëria gjendet aktualisht pa një gjykatë kushtetuese funksionale, gjë që duket se i ka dhënë të drejtë qeverisë të propozojë gjithfarë ligjesh që dukshëm cënojnë parimet themelore të kushtetutës.

/Gjergj Erebara, Reporter.al