‘Biznesit të vogël ndihmë 2 mijë lekë’, Shehaj: Ato që qeveria i jep në mëngjes, e merr në darkë

Ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj ka deklaruar sot se paketa e qeverisë për t’u ardhur në ndihmë bizneseve është një mashtrim.

Sipas tij, brenda datës 20 prill bizneset do duhet të paguajnë sigurimet shoqërore për periudhën janar-mars që kap vlerë e 2 4000 lekë.

Ndërkohë që sipas Shehajt, një pjesë e bizneseve do të marrin nga qeveria 26000 lekë, pagë lufte, nga e cila do ti mbetet në xhep vetëm 2 mijë lekë.

Për ish deputetin demokrat, qeveria ato pak lekë që do u japë në mëngjes bizneseve të vogla, do ua marrë në darkë.

“Çdo i vetëpunësuar në biznesin e vogël duhet të paguajë brenda datës 20 prill rreth 24000 lekë sigurime shoqërore për periudhën janar-mars.

Një pjese të vogël prej tyre qeveria do ju japë 26000 leke ne muajin prill për pagën e luftës. Atyre do t’u mbeten vetëm 2 mijë lekë në xhep. Ata që nuk do marrin as “pagën e luftës”, duhet të paguajnë nga xhepi i tyre të gjithë shumën 24000 Lekë.

Paketa e qeverisë për të ndihmuar njerëzit dhe bizneset e vogla është një mashtrim: ato pak lekë që qeveria t’i jep në mëngjes, t’i merr në darkë.

Madje shumicës së bizneseve qeveria nuk do t’u japë asgjë dhe do ja u marrë detyrimet fiskale njësoj si në kohë normale. Kjo është lojë e rrezikshme me jetët e njerëzve dhe me ekonominë e vendit”, thekson Shehaj.