Mourinho kërkon falje se nuk respektoi rregullat

Jose Mourinho, trajneri i Tottenham, ka pranuar këtë të mërkurë se veprimet e tij dhe të skuadrës një ditë më parë nuk kanë qenë në linjë me protokollin e qeverisë përsa i përket rregullave të distancimit social.

Ky reagim vjen pas fotove që qarkualluan ditën e djeshme, ku Mourinho u pa të udhëhiqte një seancë stërvitore në një zonë të gjelbërt të Londrës, me lojtarët shumë afër njëri-tjetrit.

Për këtë veprim, Mourinho dhe skuadra e tij u kritikuan nga kryetari i bashkisë së Londrës, si dhe nga vetë klubi, i cili deklaroi se lojtarëve ju është rikujtuar rëndësia e respektimit të rregullave të distancimit social.

“E pranoj se veprimet e mia nuk ishin në linjë me protokollin e qeverisë. Ne duhet të kemi kontakte vetëm me njerëzit e shtëpisë tonë. Është thelbësore që të gjithë ne të bëjmë pjesën tonë dhe të ndjekim këshillat e qeverisë, në mënyrë që të mbështesim heronjtë tanë të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit dhe të shpëtojmë jetë”, u shpreh Mourinho.