Ishte në gjendje kritike prej Koronavirusit, e shoqja jep lajmin për Rustu

Ish-portieri i përfaqësueses turke, Rustu Recber, ka arritur të mposhtë Koronavirusin, pas 11 ditëve tepër të vështira në betejë me të.

Ishte gruaja e tij, Isil Recber, ajo që lajmëroi ditën e sotme me një mesazh të gjatë në Instagram, se legjenda turke ia ka dalë ta lërë pas virusin e tmerrshëm.

“Çfarë dite e mrekullueshme! Faleminderit Zot. Pas 11 ditësh tepër të vështira, burri im është shëruar. Zoti i pranoi lutjet. Ai na sheh dhe na mbron. Të dashur miq, familjarë dhe të dashurit tanë, Allahu ju shpërbleftë me çfarë ju dëshiron zemra”, shkruan Isil.
Rustu u largua nga futbolli në vitin 2012, pas një karrierë të rëndësishme. 
Ai kishte arritur të fitonte shumë trofe me skuadrat e tij, si dhe kishte ndihmuar Turqinë të arrinte vendin e 3-të në Kupën e Botës 2002. 
Rustu gjithashtu është lojtari me më shumë paraqitje për Turqinë, me plot 120 ndeshje.