Edhe Jaka kundër Edi Ramës për koncesionet në kohë koronavirusi

Së fundmi Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, i ka nisur një plan-propozim me 8 pika qeverisë Rama, për mbështetjen ekonomisë shqiptare në këto kohë koronavirusi.

Kryetari i saj, Nikolin Jaka, duket se ka ndryshuar qëndrim në këto kohë për mënyrën se si qeveria po ndihmon biznesin në këto kohë krize të thellë. 

Në një intervistë për `TVT`, ai thotë se ndër kërkesat kryesore është dhe rishikimi i buxhetit të shtetit për këtë vit, për t’u ardhur në ndihmë sektorëve të ndryshëm të prekur nga kriza e pandemisë.

I pyetur se a mund të riskohen koncesionet nga qeveria, ai deklaroi se është koha për të hequr dorë në këtë periudhë nga fanatizmi.

“Çdo gjë që nuk është bazike për mbijetesën e qytetarëve mund të dhe duhet të riskohet. Dhe kjo duhet të jetë e prerë dhe duhet të bindemi të heqim dorë nga fanatizmi i mbrojtjes së ideve nga të cilat nuk heqim dot dorë. Jo. Çdo gjë që ka lidhje me sigurinë bazike të qytetarëve shqiptarë duhet të jetë përparësi. Nga ana tjetër, ne duhet të mundësojmë sa më shumë hapje të kompanive që të mundësohen të ardhura në buxhet dhe duhen parë të gjitha instrumentet e mundshme për të rritur borxhin publik”, deklaroi Jaka.

 Nga ana tjetër, sipas kreut të Dhomës së Tregtisë, masat shtrënguese të qeverisë po pengojnë zhvillimin e sektorëve ekonomikë.

“Ka dy rrugë: ose duhet të ndryshojmë skenarin e masave shtrënguese, ose duhet t’i paguajmë. Nëse ne heqim masat shtrënguese dhe qytetarët që nuk rrezikohen nga pandemia duhet të jenë të lirë në normalitetin e tyre, atëherë duhet të hapen edhe kafenetë dhe restorantet. Pra masat shtrënguese janë penguese për këtë lloj sektori dhe është normale të paguhen. Edhe si kryetar i Dhomës së Tregtisë edhe si qytetar i thjeshtë apo sipërmarrës, duhet të përjashtohen të gjithë fashat e qytetarëve dhe përfitues të të ardhurave informale nga çdo lloj subvencion”, tha ai mes të tjerave.