Situata me shqiptarët e bllokuar në kufirin me Greqinë/ Basha: Braktisja e tyre e papranueshme, kriminale

Kryetari i Partisë Demokratiker, Lulzim Basha reagon sërish lidhur me situatën në kufirin greko-shqiptar.

Sipas liderit të selisë blu, është e pafalshme dhe kriminale braktistja e qytetarëve shqiptarë, mbi të gjitha në këto ditë të vështira.

"Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjëanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë. 

Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë. 

I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit. Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre.

Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale", shprehet Basha.

Në shenjë proteste për ndalimin që bëhet ndaj tyre për të hyrë në vendin tonë, emigrantët vendosën pasditen e sotme moslejimin e kalimit për kamionët.

Sipas burimeve, 3 persona janë shoqëruar në polici.

Ndërkohë, 5 emigrantë janë dërguar në spitalin e Bilishtit. Bëhet fjalë për tre gra dhe dy të moshuar, të cilët kanë patur luhatje tensioni nga qëndrimi dyditor në tokë neutrale.