Të bllokuar në kufi/ Avokati: Të gjithë shqiptarët duhet të lejohen të futen në territorin shqiptar

Shume shqiptarë vijojnë të jenë të bllokuar në pikat kufitare, pas mbylljes, për shkak të Koronavirusit.

Mësohet se policia në doganën greke i ka lejuar të kalojnë, ndërsa policia shqiptare nuk ka dhënë dritë jeshile të futen në vendin tonë.

Sipas asaj që mëson Syri.net, bëhet fjalë për disa dhjetëra shqiptarë, mes tyre edhe gra e të moshuar, që po detyrohen të qëndrojnë në qiell të hapur, edhe gjatë natës.

Lidhur me këtë situatë absurde reagon edhe avokati Ledio Braho.

Përmes një postimi në Facebook, ai i kujton qeverisë detyrimet kushtetuese ndaj shtetasve shqiptarë.

Sipas juristit, pretendimi i autoriteteve se po mbrohen nga Koronavirusi, nuk qëndron.

"Pika 2 e nenit 3 të Protokollit Nr. 4 të KEDNj është detyrim i qartë për shtetin shqiptar. Të gjithë shqiptarët duhet të lejohen të futen në territorin shqiptar.

Nëse shteti ka për qëllim shmangien e "bombës", t'i karantinojë në një ambient të përbashkët në menyrë që t'i sigurojë ushqim dhe strehim.

Nuk është zgjidhje shmangia e gjobave për kalimin e afatit 90 ditor (as kjo nuk po ndodh) sepse në këtë kohë nuk është gjoba, por mbijetesa qëllim", shkruan avokati në postimin e tij.