U padit në SPAK për tenderin 1.5 milion euro/ Xhaçka: Rivënie në skenë e versionit më të fundit të 'Babales'

Pas publikimit nga Partia Demokratike të kallëzimit penal në SPAK për tenderin e ushqimeve me vlerë 1.5 milion euro, ndaj ministres së mbrojtjes Olta Xhaçka, kjo e fundit ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale.

Ministrja Xhaçka shkruan se e mirëpret padinë që i është bërë madje e inkurajon.

Më tej ministrja shkruan se i takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje pasi gjithçka është bërë sipas ligjit e procedurës.

“E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparesi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion. Por është po aq e ulët e imorale nëqoftëse opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashket për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm! I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales“, shkruan Xhaçka.