FOTOLAJM/ Kujt i duhet kjo shfaqje e shtrenjtë dhe autokratike?

Më shumë se gjysma e botës është izoluar për shkak të koronavirusit. Pamjet që vijnë nga kryeqytetet më të mëdha në botë janë thuajse të njëjta: rrugë bosh si asnjëherë në këto 100 vite.

Por në rrugët e Shqipërisë mund të shohësh edhe një pamje të tillë: një karvan ushtrie sikur të jetë një luftë e vërtetë.

Fotot nga e gjithë bota i shohin të gjithë shqiptarët. Po askund nuk ka një gjë të tillë, një shfaqje e shëmtuar autokratike.

Përse duhen ekspozuar armët në publik? Përse duhen shpenzuar mijëra e mijëra litra karburant për këtë shfaqje?

Qytetarët kudo janë izoluar se kanë frikë për vete dhe shëndetin e të afërmve të tyre.

Sigurisht ka edhe ndonjë vend tjetër autokratik ku sheh të tilla pamje, por kudo tjetër ushtria është angazhuar në veprime humanitare. Kurse këtu po luan një lojë luftash të turpshme dhe skandaloze.

Një zyrtar i lartë britanik u bëri thirrje forcave të rendit që të bëjnë kujdes maksimal në sjelljen e tyre, pasi historia do flasë për dekada mbi këtë që po ndodh dhe mënyrën se si u reagua prej tyre.

Kur të flasim në të ardhmen për atë që ndodhi në Shqipëri, do na dalin të tilla pamje para syve dhe do turpërohemi. Akoma më shumë se tani.