Nga piku te lirimet, nga burgu te armët/ Mos lejoni që Rama ta kalojë fajin te ju

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot shqiptarët se nga e hëna i pret burgu nëse thyejnë rregullat e izolimit.

Reagimi i tij erdhi pasi sërish si çdo të shtunë, për shkak të fashave orare të vendosura nga Rama, shqiptarët vërshuan për furnizime që të zbatojnë izolimin prej 40 orësh të fundjavës.

Por retorika e Ramës gjatë kësaj jave ka ndryshuar kaq shumë, madje edhe brenda ditës.

Fillimisht e nisi duke u krenuar me kurbën e rasteve të konfirmuara në Shqipëri, edhe pse numri i testimeve është në nivelet më minimale në Europë dhe në botë.

Pastaj lejoi një zëdhënësen e tij në shëndetësi që të flasë për arritjen e pikut të koronavirusit në vend.

Pastaj kur rastet nisën të shtoheshin ndjeshëm, u kujdes që të dalin fotot dhe pamjet e ushtrisë me armë të rënda nëpër duar, në një shfaqje të shëmtuar dhe të frikshme në mes të Tiranës, a thua se po e vrasin virusin me mitroloz.

Pastaj doli e foli vetë për lehtësimin e lëvizjes, dhe njerëzit nisën të dalin më shumë me makina nëpër rrugë.

Në fund, të shtunën pasi kishte paralajmëruar se do ketë më shumë liri gjatë javës tjetër, premtoi burgun.

Deri këtu nuk ka asgjë të re: Edi Rama e sheh si një shfaqje edhe këtë situatë duhe po përpiqet që të bëjë propagandë me aq sa mundet.

E rrezikshme është përpjekja për të kaluar peshën e fajit dhe të përgjegjësisë për situatën te njerëzit e zakonshëm dhe jo te shteti dhe qeveria.

Kështu vepron secili autokrat, e kalon fajin te qytetarët.

Gjatë javës mori një vendim që për pak mund të ndizte një përplasje civile nëpër vend, kur tha se nuk duhen paguar qiratë.

Më pas gati sa nuk i akuzoi hapur shkodranët përmes një zëdhënëse në shëndetësi se janë fajtorë për përhapjen e virusit.

Me të gjithë këto deklarata dhe qëndrime, po e heq barrën e fajit mbi veten dhe po ua kalon qytetarëve. Ju jeni fajtorë që po lëvizni, ju jeni fajtorë që doni të ushqeheni, ju jeni fajtorë që virusi po përhapet, ju jeni fajtorë që sëmundja nuk po ndalet, ju jeni fajtorë se përse jemi në krizë, se përse nuk kemi lekë, se përse nuk kemi tamponë, se përse nuk kemi ventilatorë, se përse e kemi të shkatërruar shëndetësinë, se përse miliardat po shkojnë për miqtë e Ramës dhe thërrimet për qytetarët.

Prandaj mos e lejoni të kalojë barrën e fajit te ju. Askush nga shqiptarët nuk e meriton këtë fyerje. Nga askush, aq më pak nga një i rrjedhur që mendon se e ka dërguar Zoti për shqiptarët.