SKANDALI/ Xhaçka nuk sqaron tenderin dhe ‘bën një tjetër mashtrim’

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka doli në një konferencë për mediat për të sqaruar akuzat e hedhura nga opozita se i ka dhënë një tender prej 1.5 milionë eurosh një kompania të specializuar në kompjutera. Kjo kompani duhet të bëjë furnizimin me ushqim të Rezervave të Shtetit. Skandali bëhet i madh kur e mendon se janë qindra e mijëra kompani ushqimesh në vend, por shumën e majme duhet ta marrë pa garë një kompani e regjistruar vetëm një vit më parë në Shqipëri, e cila merret me pajisje elektronike.

Xhaçka nuk sqaroi asgjë nga këto, por tha se këtë procedurë të përshpejtuar ia njeh ligji.

“Në kushtet e fatkeqësisë së shpallur dhe me ngritjen e mekanizmit humanitar për ndihmat ushqimore për kategoritë në nevojë, Ministria e Mbrojtjes në mënyrë urgjente në datë 25 mars, pas 24 orësh, hapi sipas ligjit procedurën e blerjes së këtyre mallrave. Pra,brenda 24 orëve të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.

Në vijim dhe në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit për situata të tilla, në datë 26 mars komisioni hapi ofertat dhe në datë 27 shpalli fituesin. Në rast se e ka harruar, i kujtoj Lulzim Bashës se është procedurë krejt e ligjshme dhe e njohur, e detyrueshme në rrethana emergjence dhe e përdorur edhe nga ai vetë, dikur ministër në raste emergjencash shumë herë më të vogla dhe të lokalizuara se kjo siç ishte përmbytja e asaj kohe,” tha ajo.

Megjithatë, më tej ajo bëri edhe një tjetër mashtrim. “Operacioni humanitar po ndihmon 600 familje në nevojë,” tha ajo.

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se ky është një skandal, pasi në regjistrin e shtetit janë gjithsej 740 mijë familje.

“Narkoqeveritarët, sa më shumë vjedhin, aq më shumë mashtrojnë!

Miq, ndrikull Xhaçka, e kapur me presh në dorë me tenderin e ushqimeve që ia dhuroi një kompanie që nuk merrej me ushqimet, u deklaron shqiptareve për të mbuluar skandalin e vjedhjes në epideminë e Covid-19 se operacioni humanitar po ndihmon 24 orë 600 mijë familje. Mirëpo në regjistrat e shtetit shqiptar sipas regjistrimit të fundit, në Shqipëri ekzistojnë gjithsej 740 mijë familje!

Miq, këta narkoqeveritarë sa më shumë vjedhin, aq më shumë mashtrojnë,” shkruan Berisha.