Nuk do paguajnë oligarkët e Ramës, do paguajnë qiradhënësit

Pas shpalljes së pandemisë botërore, një emër i njohur po shfaqej gjithmonë e më shumë në ballinat e medieve gjermane. Bëhej fjalë për gjigantin e veshjeve sportive, ADIDAS. Ata morën vendim të mos paguajnë qiranë për dyqanet e tyre për shkak të krizës.

Vendimi shkaktoi shumë zemërim në opinionin publik gjerman, por edhe te politikanët. Si mundet një gjigant i pasur të mos paguajë qiratë? Pas presionit të madh, ADIDAS u tërhoq nga vendimi.

Të enjten, kryeministri Edi Rama tha se me aktin normativ, do të ndalohen pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën dhe nga studentët. Ky vendim skandaloz sërish e zhvendos barrën e krizës në një krah tjetër, te qiradhënësit.

Pa analizuar pjesën ligjore, pasi është një vendim antikushtetues, ai tregon edhe njëherë se qëllimi i Ramës është vetëm një: të mos prekë asgjë nga fitimet e oligarkëve në vend.

Këtë herë barrën do e paguajnë qiradhënësit, edhe pse ata janë sërish të goditur nga kriza dhe në hallet e përditshme.

Ky është një tjetër maskarallëk për të mos prekur favoret dhe koncesionet që i kushtojnë miliarda euro shqiptarëve.

Vetëm për këta të fundit nuk ka krizë. Ajo ekziston vetëm për njerëzit që mezi mbahen në këmbë në këtë vend të rrënuar në çdo aspekt.