Virusi i gomarit

Pandehma dhe pandemia

Mbi pandeminë bëhet sigurisht edhe propagandë, ndërtohen edhe teori komploti, ngrihen edhe delire pse erdhi, nga erdhi, si erdhi, si ikën, çfarë e shëron, ideologjira, luftëra, rivalitete!

Propagandë e neveritshme politike nga të gjitha anët e Globit! Patjetër. Ky është gripi i njeriut! Mijëravjeçar!

Unë e quaj pandehmë, një zhurmë kot, një hamendje e çmendur, një delir pa prova shkencore, një llomotitje për veten. E tha mirë sot një epidemiolog i madh europian: Ore, askush nuk e di saktë çfarë është dhe si luftohet! Do të dojë kohë kjo punë!

Si lopa e çmendur! Si gripi i derrit! Si gripi i pulave! Vetëm gomari qenka i pafajshëm, i padëmshëm, në punë të vet!

Le t'i bëjmë një monument gomarit që pëllet si lopë! E kam fjalën gjuhësisht, sepse si tinguj janë të ndryshëm! Kjo është njerëzia sa e mënçur aq edhe budallaqe!

Megjithatë, megjithatë, megjithatë, ta ndajmë pakës pandeminë nga pandehmat.

Ta ndajmë faktin nga propaganda e ndyrë mbi faktin.

Fakti duhet përballuar me masa të forta!

Ca thonë, e mo se lojë është, test.

Dakord mo dakord! Por, nga ky testi vdesin mijëra njerëz në ditë! Se pastaj kur shkojmë në botën tjetër dhe do të na pyes rojtari i ferrit, se ne veç në ferr e kemi vendin: Po ti mo, derdimen pse erdhe kaq shpejt këtu?

Si t'i përgjigjemi? Ika kot shefo, kujtova se ishte lojë, por ajo puna e lojës ishte vetë loja, se ai që përhapi virusin pse mos përhapte edhe teoritë konsiparcioniste se loja me virusin ishte lojë!

Si puna e komisarit!  Prandaj ndajeni pandeminë nga pandehma, pa pandehma bëni sa të doni!

Vetmia në dhomë mbyllur e rrit delirin! Se pastaj edhe gomari do të thotë: Ore, por kur, pula, gjeli, lopa i bëjnë t'ëmën njeriut dhe ai i mban në pëllëmbë të dorës ato, pse mos i hedh edhe unë në kokë edhe grripin e gomarit që ta shohë njëherë dhe as mos shajë më: Ik ore gomar! - meqë më gjen të urtë mua, por as do të pëllasë si gomar duke bërtitur : unë, unë, unë, un, un, un, uuuuuuuu!

Këta atë që u bën mirë dhe është i urtë, i bindur, i sjellshëm, i ndershëm e quajnë gomar, prandaj mos jesh gomar mos vallë duhet hequr dorë nga këto virtyte?