Sipas protokollit europian, Ogerta

Dy ditë më parë, 30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria u dërguan në Itali me qëllim ndihmesën e ekipit mjekësor Italian në luftën kundër Koronavirus.

Si gjithmonë nuk munguan ceremonitë e rastit nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e tij e Shëndetësisë, të cilët i përcollën në aeroportin e Rinasit. Ndërsa me ta deri në Itali fluturoi vetë mëkëmbësi i kryeministrit në ministrinë e jashtme, Gent Cakaj.

Por zhurma e krijuar në media për këtë akt heroik të qeverisë shqiptare u venit pasditen e sotme, teksa prestigjozja italiane "La Repubblica" bëri me dije një fakt dëshpërues, ku thuhet se mjekët dhe infermierët shqiptarë do të duhet t’i nënshtrohen një provimi për të parë se në cilën fushë mjeksore mund të japin kontributin e tyre, pasi vajtja e tyre në Itali është bërë pa asnjë dokument që të tregojë se cili është profesioni apo specializimi i secilit prej tyre.

https://www.syri.net/politike/327549/la-repubblica-mjeket-shqiptare-nuk-mund-te-punojne-ne-itali/

Lidhur me këtë zhvillim nuk kanë munguar reagimet në rrjetet sociale, ku mes tyre spikat ai i Elona Casllit.

Kjo e fundit, përmes një shkrimi nën titullin "Sipas protokollit europian Ogerta", i tregon ministrisë së shëndetësisë se si veprohet në raste të tilla.

"Sipas protokollit europian, vendit pritës i dërgohet dokumentacioni që përmban dosjet e fituesve me të gjitha të dhënat, ( të cilat janë dorëzuar në gjuhën e vendit pritës që në fazën e aplikimit", shkruan ajo.

Postimi i plotë i Elona Caslli-t:

Sipas protokollit europian Ogerta Ogerta, para se të fotografoje veten dhe mjekët në aeroport, duhet të kishe shqyrtuar fillimisht dosjet e tyre. Në ligjëratë të drejtë Ogerta, duhet të kishe ditur paraprakisht që; Kur një institucion lidh një marrëveshje bashkëpunimi me një institucion tjetër, në kohë pandemie ose jo, brenda marrëveshjes përcaktohen edhe disa kritere, që duhen përmbushur si; Fusha e studimit, cikli i programit të studimit, niveli i gjuhës së huaj.

Sipas protokollit europian, Ogerta, kandidatët dorëzojnë një dosje që përmban, të gjitha të dhënat e duhura për çdo kandidat. Dosja dhe materiali në të, duhet të dorëzohen në gjuhën e vendit pritës (në rastin konkret në gjuhën italiane). Dosjet e kandidatëve, Ogerta, shqyrtohen fillimisht nga një komision vlerësues ngritur në Shqipëri dhe përzgjidhen ata kandidatë, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në marrëveshje nga vendi pritës (në këtë rast Italia).

Pasi përzgjidhen kandidatët fitues Ogerta, gjithmonë sipas protokollit europian, vendit pritës i dërgohet dokumentacioni që përmban dosjet e fituesve me të gjitha të dhënat, ( të cilat janë dorëzuar në gjuhën e vendit pritës që në fazën e aplikimit).

Dosjet e fituesve shoqërohen me një shkresë përcjellëse e cila mban të dhënat e mëposhtme;

- Përbërjen e komisionit vlerësues në Shqipëri

- Kohën që iu desh komisionit për të përzgjedhur kandidatët fitues.

- Sistemin e pikëve që u përdor për vlerësimin e çdo kandidati

- Renditjen e kandidatëve sipas pikëve. Kjo shkresë firmoset nga titullari i institucionit, Ogerta dhe shoqërohet me vulën institucionale.

Nëse do ta kishe bërë këtë Ogerta, vendi pritës, Italia në këtë rast, do të kishte një informacion paraprak për mjekët dhe infermierët që ke dërguar dhe nuk do të detyrohej që në kohë pandemie, të kryente intervista me ta, për t'i gjetur vendin se ku duhet të shërbejnë.

Ka shumë punë para fotos në Rinas Ogerta dhe kjo punë duhet bërë siç duhet, që Shqipëria të identifikohet denjësisht në kontekst europian.

Post Scriptum- Megjithatë Ogerta, mos u shqetëso! Në foto ke dalë bukur.