Gjestet i bën me të vërtetë bukur, kryeministri

Kryeministri shqiptar  përcolli nga aeroporti i mbyllur “Nënë Tereza” për në Italinë fqinje 30 punëtorë të shëndetit, mjekë dhe infermierë shqiptarë. Shkojnë në rajonin italian të Lombardisë, në Breshia, ku është edhe zona më e “purpurt” shënuar si e tillë prej epidemisë thuajse të përbotëshme tashmë(pandemisë) që ka shkaktuar coronavirusi.

Mbajti një fjalë plot elegancë e sharm përpara atyre mjekëve e infermierëve, të maskuar me të bardha prej armikut të padukshëm po dhe të shpërndarë në distancë nga njëri tjetri siç e kërkojnë rrethanat e luftës. Fjalë me letër, në shqip dhe në italisht, me thekse të përcaktuara arsyeshëm dhe plot interpretim.

Sigurisht një fjalë për t’u amplifikuar këtu brenda karantinës sonë. Njëri synim ky. Por po kaq e më shumë për t’u shpërndarë andej në botën e madhe, tashmë e gjitha e karantinuar edhe ajo, krye objektivi mbrojtës i zgjedhur edhe prej tyre në këtë luftë.

Si një akt e më shumë si një gjest i mirëmenduar, që do t’u përcillet të mëdhenjëve nga ky vendi i vogël…Nga ky vendi i vogël po me udhëheqësí të zgjuar e vizionare, që përcjell solidaritet e kontribute interesante në luftën e përbotëshme.

Por sakaq dhe individualiste në njëfarë mënyre, ku secili bën të veten dhe për vete.

Dhe ja, nga vendi i vogël përcillet solidaritet. Një shembull për t’u ndalur edhe të mëdhenjtë. Kjo është e gjitha… Dhe për këtë të fundit, s’ke ç’i thua , e ka mjeshtri të stërshfaqur kryeministri ynë. Por edhe të konfirmuar gjërësisht tashma. Ne jemi familjar shumë me të se u bënë shtatë vjet këso dore, por do ti që edhe të mëdhenjtë…i ka gudulisur.

Për këtu brenda “fshatit tonë” doli ministresha e  shëndetsisë aq sharmante dhe e kudogjëndur në këtë kohë ”kolere”.”Janë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë-tha për mjekët e infermierët, nga Shkodra, nga Tirana, nga Kruja… se dua t’i përmend të gjithë. Sigurisht edhe ky si një dimension solidariteti.

Më erdhi në mendje sot një tjetër akt këso dore i kryeministrit tonë. 

Ngjarja e bujëshme në gazetën pariziene “Charli Hebdo”pesë vite më parë.Një akt tronditës, që aso kohe pati hapë një debat të rëndësishëm  rreth pikpëpyetjeve të mëdha se a po e kërcënojnë realisht Europën e botën akte të tilla ? A janë ato produkt i përplasjes së trandëshme të qyteterimeve, a janë produkt i indokrinimit ekstremist të besimit islam nga njëra anë dhe nga një anë tjetër, i grricjes deri në kufijtë e fyerjes së padurueshme nga një medium, në këtë rast gazeta pariziene, apo, apo…Dhe kryeministri ynë u gjend asohere aty. Kjo më rierdhi në kujtesë.

Me një dërgatë shqiptare në manifestimin e paqes atje  tërhoqi vemendjen jo vetëm të pjesëmarrësve të panumërt në sheshin e manifestimit paqësor në Paris, po edhe të mediave rrotull globit. Një ecje parakaluese në sheshin Volter të 4 klerikëve shqiptarë të tre besimeve  që ushtrohen ndër shqiptarë; mysliman, ortodoks, katolik dhe sekti i bektashijve, i cili ka edhe qendrën e vet botërore në Shqipëri. Mons. Luçian Augustini,(i ndjerë tashmë) njëri prej të katërtve klerikë pjesëmarrës ma ka pasë treguar si një rastësi, momentin me duart shtërnguar.

-Ne po ecnim së bashku për tek “Charli…” ku do të bëheshin manifestimet e paqes, por sapo u ballafaquam me publikun anash pamë reagimin e veçantë të tyre shoqëruar edhe me fjalë përgëzuese. Më pas, vetvetishëm, gati instinktivisht, ne përbashkuam duart- më tregonte Mons Luçiani.

Kurse tri lapsa në thilen e xhaketës së kryeministrit ,një paraqitje shich e tij, si simbolikë e lirisë së shtypit dhe që për nga  ngjyrat përkonin me flamurin francez, si shenjë respekti për lirinë e shkrimit dhe të shprehjes është e bukur, e gjetur e plot sharm, në kontekstin e ngjarjes dhe në vendin ku u shpërfaq, përcillte mesazhin e harmonisë fetare që e sillte atje në vemendje “fshatin tonë të vogël…Po me udhëheqësi të zgjuar e të mençur…

Vetëm një ditë më parë Ati i Shenjtë, Papa Françesku i dha botës mbarë, ne sheshin e boshatisur të Shën Pjetrit bekimin e jashtëzakonshëm solemn“Urbi et orbi” [qytetit dhe botës] . Një bekim që jepet  zakonisht në rastet e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve katolike dhe si ai i djeshmi nuk kishte ndodhë prej disa gjeneratash, së paku. Qysh pej Papa Piut të XII…

Dhe sot vjen gjesti solidar i manifestuar prej udhëheqësit tonë. Unë druaj se edhe karantinimi ynë, që ndryshe nga e gjithë bota në luftë vjen vetëm me ferman kryeministror për të na mbyllur mbrenda (me të drejtë të gjithëpranuarar)po me thuajse aspak transparencë, ndërkohë që në ato vendet e mëdha pandemia bashkëshoqërohet edhe me strategji e paketa ekonomike miliardëshe.

Më ndje o Zot nëse po mëkatoj …!