Përse kaq pak vdekje nga koronavirusi në Gjermani?

BBC

Nëse i sheh statistikat, Gjermania ka një vdekshmëri shumë më të ulët se të gjitha vendet fqinje: me më shumë se 62 mijë infeksione, numri i vdekjeve është vetëm 541.

Por çfarë fshihet pas këtyre numrave?

Shpjegimi më i mundshëm është testimi masiv. Gjermania nisi të bënte testime masive që në fillim, duke konfirmuar shumë raste me simptoma të buta.

Kjo do të thotë se numri i rasteve të konfirmuara është shumë afër numrit aktual të rasteve në krahasim me vendet e tjera, ku rastet e konfirmuara mund të tregojnë vetëm një fraksion të atyre që janë infektuar.

Kështu, nëse në Itali, Spanjë apo Britani, personat me simptoma të buta nuk janë testuar, niveli i vdekshmërisë së tyre mund të mos jetë shumë i ndryshëm nga ai në Gjermani.

Një tjetër shpjegim është kapaciteti i shërbimit shëndetësor: Gjermania ka më shumë kapacitet të shërbimit shëndetësor intensiv se Franca, Italia apo Britania.

Kjo do të thotë se aktualisht sistemi mund të përballojë mirë numrin e personave të sëmurë rëndë. Pacientët nga Italia dhe Franca kanë nisur të trajtohen në Gjermani. Por, kur numri i të sëmurëve kritikë të kapë pikun edhe në vend, edhe sistemi shëndetësor gjerman do të vihet nën presion dhe mund të mbingarkohet.