A merret kredi, a hapet depozitë tek Banka e Shqipërisë? Vjen përgjigja
A mund të marr një kredi apo të hap një depozitë pranë Bankës së Shqipërisë? Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta në faqen e Bankës në Facebook, pra, nëse mund të aplikohet për të marrë një kredi apo për të hapur një depozitë pranë Bankës së Shqipërisë?
Ndaj dhe përgjigja zyrtarisht ka ardhur sot:
"Banka e Shqipërisë gëzon funksionet e mirëfillta të një banke qendrore klasike, në mënyrë që të garantojë arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar.
Për ta dalluar Bankën e Shqipërisë nga bankat e tjera të sistemit bankar është e rëndësishme të theksojmë se ajo NUK ushtron të njëjtat funksione dhe NUK ofron të njëjtat shërbime me bankat tregtare.
E thënë më thjesht, Banka e Shqipërisë NUK u shërben drejtpërdrejt individëve dhe bizneseve dhe NUK u jep atyre kredi. Individët, kompanitë, organizatat jofitimprurëse etj., nuk mund të çelin llogari bankare pranë Bankës së Shqipërisë. Këtë shërbim e ofrojnë bankat e tjera të sistemit tonë bankar, që ndryshe quhen banka tregtare.
Banka qendrore i ngjan një banke pa sportele. “Klientët” e saj janë VETËM bankat tregtare dhe Qeveria."