Koduzi: Nuk është ulur numri i të prekurve, por numri i testimeve

“Situata është duke eskaluar ditë pas dite, numri i rasteve totale ka filluar të rritet. Po hyjmë në fazën e rritjes, se kur arrin piku askush nuk e di. Ne mendojmë se nëse do të ishin marrë masat e duhura, situata do ishte pak më ndryshe”.

Në një komunikim me News24, Gazmend Koduzi nga Departamenti i Shëndetësisë në PD tha se mendon që qeveria nuk i ka marrë masat e duhura në kohën e duhur për përballimin e kësaj situate. Sipas tij, ajo ka dështuar jo vetëm me kapacitetet nëpër spitale, por edhe me mbrojtjen e mjekëve.

"Ne e kemi ngritur alarmin që në shkurt që qeveria të mos merrej me shoë dhe të merreshin masat. Por kjo gjë nuk ndodhi. Dje dëgjuam show-n e radhës së kryeministrit, se do ngrinin spital për 30 ditë. Kujt i duhet spitali pas 30 ditësh, kur mund të ndodhë që epidemia të ketë kaluar. Kemi ndarë 1,2 mln maska, tha më herët, por ato ishin të skaduara. Qeveria ka dështuar komplet në vend që të japë maska, i coi mjekët në luftë pa armë”,- tha ai.

Sa për uljen e numrit të të prekurve sot, në 12 nga 28 që ishin dje, Koduzi shtoi se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ai tha se në një kohë që kryhen më pak testime do të rezultojnë edhe më pak të infektuar.

“Shifra është alogjike, në epidemi kur nis rritja, ajo nuk ulet direkt. Ne tashmë kemi hyrë në fazën e rritjes, numri i pakët besoj që është për shkak të analizave të pakëta që janë kryer. Përforcoj thirrjen që duhet bërë një testim horizontal dhe masiv”,- tha ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD shtoi: “Duhet të ishte ngritur Task Forca e Shqipërisë, të ishte bërë një tryezë ekspertësh dhe politika të dëgjonte mendimet e tyre".