Mjeku: Ja pse vdekshmëria nga COVID-19 në Gjermani është e ulët

Në një lidhje direkte për “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin nga Gjermania ishte mjeku Redi Llubani.
Mjeku foli për situatën sesi po përballohet koronavirusi në Gjermani, ku në krahasim me shtetet e tjera vdekshmëria është shumë më e ulët. Llubani i cili punon në Dusseldolf tha se mosha mesatare e të prekurve në Gjermani është 45 vjeç dhe kjo ka ndikuar edhe në vdekshmërinë e ulët, shkruan abcnews.al
Sipas mjekut ky virus ka prekur kryesisht moshat e reja në Gjermani me imunitet më të fortë, të cilët e kanë përballuar. Po ashtu ai shtoi se në shtetin gjerman nuk është bllokuar lëvizja, por ka një sensibilizim shumë të madh të qytetarëve të cilët respektojnë rregullat.
Pjesë nga intervista:
Redi Llubani: Gjermania ka kaluar numrin e 44 mijë të prekurve, këto janë të dhënat e fundit. Por përqindja e vdekjeve mbetet mjaft e ulët. Nga fundi i javës tjetër do të kemi edhe pikun.
Mirela Milori: Do të jetë kurba më e lartë?
Redi Llubani: Po do të jetë kurba më e lartë dhe deri tani pacientët që janë paraqitur kane qenë moshë e re dhe nuk kanë paraqitur komplikacione. Jemi në pritje nëse ndodh një skenar i tipit italian.
Mirela Milori: Çfarë protokolli po përdoret për tu përballur situata?
Redi Llubani: Për fat të keq nuk kemi protokolle por kemi vetëm disa sugjerime
Mirela Milori: Cilat janë praktikat?
Redi Llubani: Janë kur vjen pacienti në urgjencë dhe i bëhet tamponi, pasi diagnostikohet shtrohet. Ne fillojmë me anti-biotikë. Ne jemi ndarë në grupe të ndryshme për të qenë në mbështetje të urgjencës. Ne kemi bërë tampone në masë dhe shumë testime. Për fat të mirë kemi arritur ti menaxhojmë me sukses.
Mirela Milori: Gjermania po merret si shembull deri tani për shkak të disiplinës së distancës fizike. Sapo respektohen?
Redi Llubani: E mira është këtu që ne kemi filluar që në mes të muajit shkurt që të marrim masa. Njerëzit janë sensibilizuar, edhe në rrugë dhe trena, njerëzit ruajnë gjithnjë distancës. Në supermarkete mbahet radhë. Sensibilizimi është goxha i lartë dhe kjo është shumë gjë e mirë.
Mirela Milori: Si është regjimi i lëvizjes tek ju?
Redi Llubani: Ne nuk kemi kufizime për lëvizje, por nuk lejohen mbledhjet në publik. Shumica e punonjësve punojnë nga shtëpia. Trenat dhe autobusët janë bërë sipas sistemit të punës. Në parqe te gjithë ruajnë distancën.
Mirela Milori: Ka një debat ku është përfshirë OBSH, shtetet të ndryshme, si po kryhet testimi në Gjermani?
Redi Llubani: Tek ne testohen pacientët që paraqesin simptoma, por niveli i testimeve është shumë i lartë.
Mirela Milori: Ka protokolle të ndryshme, në Itali dhe Spanjë. Kanë qarkulluar lajme në media që janë toleruar moshat e treta, ka një sugjerim të tillë në spitalet tuaja për tu parë me prioritet mosha  e re
Redi Llubani: Kjo është një situata alarmuese ndonjëherë mjekët vihen para kësaj përgjegjësie. Ne kemi marrë masat nëse do kemi mbingarkesë. Për fat të keq në Itali ka pasur vetëm 5 mijë shtretër dhe kjo mendohet se çoi në kolaps.
Mirela Milori: Ndër më të rrezikuarit jeni ju, të vijës së parë. Në New York kishin problem me mungesën e pajisjeve.
Redi Llubani: Situata aktualisht këtu është më e lehtësuar. Shumë rëndësi ka vetëmbrojtja. Ne kemi bërë disa trajnime për mënyrën sesi duhet të vishemi.
Mirela Milori: Si është shpjeguar numri i ulët i  vdekjeve në Gjermani?
Redi Llubani: Këtu nuk ka ardhur akoma piku. Çfarë më bëri përshtypje një epidemiolog i dëgjuar këtu në Gjermani, tha se mosha mesatare është 45 vjeç dhe në Itali është 65 dhe do të thotë se këtu kemi pasur prekjen e moshave të reja dhe me imunitet të fuqishëm.
Mirela Milori: Mund të ketë një moment kolapsi dhe kur mund të jetë?
Redi Llubani: Duke parë edhe atë në vendet fqinje edhe ne i druhemi kësaj gjëje, prandaj në urgjenca janë përgatitur edhe kampe fushore. Për fat të mirë akoma nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Mirela Milori: Mendoni se mund të ketë një rikthim të epidemisë. Thuhet se mund të kthehet sërish në vjeshtë. Nëse ndodh ky skenar, si e shikoni?
Redi Llubani: Për fat të keq ka patur të prekur edhe në Australi, ku temperaturat janë të larta. Ne presim që me ngritjen e temperaturave të zbutet. Por kemi pasur edhe raste në Itali dhe Kinë të pacientëve që janë risëmurë. Nuk jemi në dijeni nëse pacienti pasi preket krijon imunitet.
Mirela Milori: Nëse do të ishte një epidemi që do të rikthehej, mendoni se do të ishte goditëse apo do jetë më e ulët?
Redi Llubani: Problemi është se ne nuk e dimë që a fiton njeriu imunitet. Tani mbetet shpresa te laboratoret. Nga ana tjetër sic thotë OBSH është shumë e rëndësishme që të identifikohen njerëzit që i mbartin këtë sëmundje. /abcnews.al