Kjo krijesë e trafikuar mund të ketë sjellë pandeminë

Pangolinët e trafikuar mund të kenë sjellë pandeminë. Kjo krijesë është zbuluar se mban viruse të lidhura ngushtë me atë që ka pushtuar botën, raporton BBC.

Shkencëtarët thonë se shitja e kafshëve të egra nëpër tregje duhet ndaluar në mënyrë të rreptë, për të minimizuar shpërthimet e mundshme në të ardhmen.

Në një studim të publikuar nga revista ‘Nature’, shkencëtarët thonë se duhet shumë kujdes kur trajtohen këto kafshë.

Ata kërkojnë që të bëhet një mbikëqyrje më e madhe e pangolinëve që të kuptohet se cili është roli i tyre në transmetimin e sëmundjeve te njerëzit.

Më herët shkencëtarët kanë spekuluar se virusi ka ardhur nga lakuriqët. Megjithatë, akoma nuk dihet se si ka kërcyer virusi nga kafshët te njeriu.

Pangolini mund të jetë një nga krijesat më të rrezikuara në botë. Kjo krijesë e vogël dhe e ndrojtur, pa dhëmbë është mamali më i vogël me skelet në botë.

Por gjithashtu mbetet krijesa më e trafikuar në botë dhe është në listën e kafshëve më të rrezikuara për zhdukje. Kjo për shkak se shumë kinezë besojnë se ai mund të kurojë shumë probleme shëndetësore, duke nisur nga impotenca, artriti, kanceri në mëlçi, aknet e madje edhe astmën.

Sigurisht këto janë thjesht trillime. Por kjo nuk i pengon kinezët që ta përdorin mishin e pangolinit si një shenjë pasurie dhe privilegji nëpër bankete. Disa madje preferojnë që të konsumojnë fetusin e pangolinit, i cili hidhet në supë ose verë. Besohet se ai shërben si afrodiziak.

Një krijesë e tillë shitej edhe në tregun e Wuhan-it, prej nga buroi sëmundja e koronavirusit.

Një pangolin kushton të paktën 15 mijë dollarë. Shumë aktivistë në mbarë botën kanë nisur prej kohësh një fushatë për të mbrojtur këtë krijesë nga zhdukja.