Sikur mos të m'i kujtonin Muzat e Olimpit...- Dita për të kujtuar përkthyesin e kryeveprave, Gjon Shllakun

Përkujtohet sot intelektuali dhe përkthyesi që shqipëroi kryeveprat botërore, Gjon Shllakun

Tani ju, o muza, që n'Olimp banoni,
dhe si hyjnesha para syve keni
çdo send dhe nuk ju mbetet gjë pa ditur,
tregomni prijsit edhe princat dànaj,
të cilët ne kurrë parë me sy s'i kemi,
por kemi ndier lavdinë pamort të tyre.

Të gjithë kreshnikët që në Trojë luftuan
nuk do të mundja t'i përmend me emër,
sikur dhjetë gjuhë edhe dhjetë gojë të kisha
zë t'pashteruar dhe krahror prej tunxhi,
mos t'm'i kujtonin Muzat e Olimpit
-bija të Zeusit shqytamadh – fatosat
që n'Ilion erdhën luftë t'u hapin trojasve.

ILIADA, Homeri Kënga e II-të

Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 – 16 gusht 2003) ishte seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve grekë, latinë e francezë. Nga 24 shtatori 1935 deri më 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë. Aty studioi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinisht, duke qene se ajo ishte gjuha e klerit.

Ishte vetëm 22 vjeç, më 1946-ën kur regjimi komunist e dënoi me burgim te përjetshëm, 101 vjet burg si anëtar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, prej të cilave vuajti 11, nëpër burgje e kampe internimi.

Profesor Shllaku u bë i njohur me përkthimin në shqip të Iliadës së Homerit, si dhe të veprave të Sofokliut, Euripidit, Virgjilit etj. Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhërin Naim Frashëri i Artë. Në prill të vitit 2003 i akordohet urdhëri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”.

Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga Presidenti. Është fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001 si dhe fitues i ”Diskut e Argjendtë” akorduar nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë./MARRE NGA MUZEU KOMBETAR SHTEPIA ME GJETHE