Ku janë fshehur oligarkët shqiptarë?!

Nga e gjithë bota vijnë lajme që flasin për pasanikë të fushës së biznesit e në të tjera, të cilët po kontribuojnë sipas mënyrës së tyre për të ndihmuar në këtë luftë globale kundër virusit COVID-19.

Por në Shqipëri ende nuk po shohim një gjest ndihme nga milionerët tanë të mëdhenj në euro, të cilët më së shumti (ata më të mëdhenjtë), janë bërë të tillë edhe falë taksave të shqiptarëve, duke marrë punë publike e koncesione të majme.

Jemi në një fazë kur tashmë i madh e i vogël e ka kuptuar se qeveria Rama, nuk ka fuqi që të ndërhyjë me financat e duhura për të ndërhyrë në fuqizimin e sistemit shëndetësor në këto kohë emergjence të jashtëzakonshme.

Një fondacion i përbashkët i të paktën 100 më të pasurve në Shqipëri, sipas listës së Tatim-Taksave, me rastin e kësaj beteje kundër COVID-19, i cili do të ndihmonte për sigurimin e më shumë kushteve në spitalet tona, do të ishte një plus i madh jo vetëm për ata vetë. Jo vetëm për një imazh humanitar të kompanive të tyre që njihen si përfaqësuese të `kapitalizmit të egër`, por edhe një mënyrë `marketingu`.

Askush nuk pretendon që biznesi i madh të zëvendësojë shtetin dhe buxhetin e tij të lënë në këtë derexhe nga qeveritë Rama, por në këto kohë depresive dhe paniku, veçanërisht për shtresën e madhe të të varfërve në vend, një gjest humanizmi nga ata që kanë dhjam në dhjetëra milion euro, do të ishte domethënës, lehtësuese dhe shpresëdhënës.

Deri më tani asnjë nga biznesmenët e mëdhenj shqiptarë, nuk ka bërë një deklaratë për fatin e pagave të punonjësve të kompanive të tyre, të paktën për muajin Mars. Nuk ka asnjë informacion, as nëse po aplikojnë qoftë edhe për atë kredinë 100 milion dollarë pranë bankave, të cilën ua garanton qeveria, edhe pse në mënyrë të mjegullt.

Gjithashtu këta miliarderë në lekë, të cilët kur vjen puna në kohë normale synojnë fitime të çmendura nga tenderimet duke i marrë në 99% të vlerës së tyre fillestare; këta që marrin paradhënie milionat e koncesioneve dhe PPP-ve; të njëjtët që nëpërmjet qeverisë Rama kujdesen për ligje e VKM që favorizojnë monopolet e tyre, sot janë fshehur qoftë edhe për të ndihmuar në ushqime për familjet në nevojë.

Do të mjaftonte që të merrnin (nga shteti që kanë ortak në kohë normale) listën e familjeve që jetojnë me asistencë dhe nën minimumin jetik dhe secili prej tyre të merrte nën kujdestari për 2-3 muaj furnizimin e tyre me shportën ushqimore. Secili në fushën ku operon, gjithashtu ka mundësi që të ndihmojë me klering.

Por jo; shumica e tyre janë fshehur jo vetëm për t’u mbrojtur nga virusi, por edhe nga ata që në fakt i kanë bërë pasanik me taksat, punë dhe konsumin e tyre.

Ose edhe më keq: janë duke punuar e bërë plane se si të dalin me më shumë miliona nga kjo situatë “lufte”.