Koronavirusi nuk i ndaloi, zgjidhja që gjetën emisionet shqiptare për të vazhduar transmetimin

Pas rasteve të para të Koronavirusit në vendin tonë, qeveria vendosi të merrte masa për të parandaluar përhapjen e tij dhe një ndër masat ka të bëjë me televizionet. Një nga masat e aktit normativ është ndalimi i transmetimit të programeve televizive me më shumë se dy persona në studio. Kështu shumë programe që zhvillohen me disa persona, u detyruan të ndërpresin për një periudhë të pacaktuar kohore transmetimin e tyre. Ndërsa emisione të tjera kanë gjetur mënyra të reja për të vazhduar.

“Portokalli” dhe “Klanifornia” vazhdojnë transmetimin por në një mënyrë të re dhe ideale. “Klanifornia” mbrëmë u prezantua ndryshe, aktorët interpretuan me radhë në skenë ndërsa të tjerët zhvilluan skeçet e tyre jashtë ambienteve të spektaklit. Po ashtu edhe “Portokallia” do të vijë në formën e “Ditarit të Karantinës” dhe aktorët do të na sjellin shumë humor nga shtëpitë e tyre çdo të dielë.

“Rudina” dhe “Ftesë në 5”, po ashtu nuk e kanë ndalur transmetimin. Rudina Magjistari ka vendosur të ftojë në studio të ftuar, por duke ruajtur distancën e duke mos patur fare kontakt, duke zbatur kështu rregullat në maksimum. Ndërsa Bieta nga ana tjetër ka komunikuar me të ftuarit përmes videove live. Gjithashtu edhe shumë emisione të tjera po vazhdojnë transmetimet duke zbatuar rregullat e distancës e duke sjellë në studio vetëm një të ftuar.