‘Nuk ka vend për panik, njerëzit mos të alarmohen’, Simaku: Gjendja mund të shtyhet me ...

Specialisti i Insitutit të Shëndetit Publik, Artan Simaku në një lidhje telefonike gjatë emisionit ‘Pasdite me Xhaxhiun’ në Fax News, foli në lidhje me masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID19.

Mjeku infeksionist theksoi se nuk duhet të ketë panik, pasi shifrat nuk janë alarmante dhe masat synojnë që epidemia të shtrihet në kohë dhe që kurba e rasteve të jetë e sheshtë në mënyrë që mos ketë mbingarkesë sistemi spitalor.

 ‘Duket që grupet në rrisk janë të njëtat që janë edhe për gripin e zakonshëm sezonal. Nuk ka vend fare për panik. Mos të alarmohen njerzit nga shifrat që dëgjojnë në shtete të tjera. Janë marrë masat. Infrastruktura spitalore është shumë herë më e përmirësuar se disa vite më parë.

Nuk është Italia shembulli për tu marrë dhe për tu krahasuar. Shqipëria i ka marrë masat fiks në kohën e duhur. Nuk është fare gjendje alarmi, edhe në grip të zakonshëm stinor kemi pasur 16 vdekje. Me këto shifra që jemi dhe me masat e marra synojnë shtrirjen e epidemisë në kohë. Kurba të jetë e sheshtë që mos të ketë mbi ngarkesë të sistemi spitalor. Shifrat do të ndryshojnë, por popullata mos të ketë panik. Nuk parashikohet numër i lartë vdekjesh. Jemi besimplotë, nga masat e marra nuk ka nevojë për panik.’- tha Simaku.

Simaku paralajmëroi se gjendja e kësaj epidemie mund të shtyhet edhe dy muaj më tepër.

‘Me masat e marra që synojnë shtrirjen në kohë, parashikohet edhe të shtyhet dy muaj më teper, por janë parashikime.’– tha Simaku.

Po ashtu Simaku u shpreh se masat janë marrë në kohën e duhur, por për zbatimin e tyre është në dorë të individit dhe ka të bëjë me kulturën e popullatës.

‘Masat janë shumë të vlefshme, por këtu ndërhyn pak edhe kultura e popullatës. Shumë breza nuk e njohin këtë lloj situatë të pazakonte. Kjo përveçse mjekësie është dhe sociale. Janë adekuate dhe janë marrë në kohën e duhur.’

Sa tampone duhet ti bëhen pacientit që të vërtetohet plotësisht se është shëruar nga koronavirusi?

Rreth dy deri në tre tampone, por kjo është një çështje në studim e sipër. Nuk ka një rekomandim strikt nga OBSH, në lidhje me të.

Roli i mjekut të familjes?

Kjo është bërë e ditur nga MSH, do të ketë rol për popullatën që merr medikamentet me rimbursim. Qëllimi është të shkojë shërbimi shëndetësor tek pacienti dhe jo pacienti tek shërbimi shëndetësor. Është vënë në dispozicion dhe një numër që pacinetët të komunikojnë me mjekët.