Republika e Surrelit

Këto ditë karantine, qytetarët e Shqipërisë janë përballur me dy forma të ndryshme manaxhimi. Kryeministri Rama, i lodhur nga qendrimi i gjatë në karantinën qeveritare, ka vendosur të lëshojë urdhrat e tij nga kështjella e tij në Surrel. Me daljet e përditshme që hera-herës mbushen me zhurmën e orkestruar të djalit të vogël, ai po përpiqet të mbajë me gajret shqiptarët e mbyllur në ankth brenda shtëpisë.

Përmes komunikimit që nuk ofron asnjë transparencë dhe mesazheve të dhunshme në rrjetet sociale, Rama po përpiqet të inskenojë teatrin e një kryeministri në krye të detyrës. Megjithëse shtëpia e tij në Surrel nuk është as zyra e qeverisë dhe as godina e kryeministrisë. Por, pak rëndësi ka për të pasi në fund të ditës dekretet që ai lëshon nga shtëpia e Surrelit nuk kanë për qëllim efektet reale por thjesht një impakt psikologjik tek qytetarët.

Përndryshe, shefi i opozitës për asnjë çast nuk ka rreshtur duke folur për nisma reale që qeveria duhet të ndërmarrë. Nga zyra e tij në selinë e PD kryetari i saj ka komunikuar jo pak me qytetarët. Ai qe i pari që i kërkonte qeverisë që të merrte masa parandaluese dhe që të manaxhonte sitautën ndërkohë që kryeministri Rama krenohej se nuk kishte krizë.

Edhe dje, ndryshe nga përbetimet e pasinqerta nga zyrat e Surrelit, kryetari Basha iu drejtua dhe një herë qeverisë për transparencë. I kërkoi asaj dhe kryeministrit që qëndron në kalanë e tij në Surrel, që të ndërmarrin hapa për të ndihmuar ekonominë e vendit. Qytetarët do të përballen shumë shpejt me krizën e konsumit, shumë prej tyre nuk dinë në do duhet të paguajnë apo jo qiranë.

Padyshim që shumë prej tyre po prisnin zgjidhje nga qeveria por ajo duket e vendosur në karantinën e rehatisë. Detyrat i ka marrë vetëm kryeministri që del më shpesh se çdo homolog i tij por nga vendi i gabuar. Me sa duket shqiptarët duhet t’i kthejnë sytë nga opozita dhe nga një model qeverisje që nuk ka për synim të luftojë kur e keqja bie, por të manaxhojë situatën përpara se ajo të vijë.

Këtë leksion Rama dhe frymëzuesit e tij të propagandës nuk e kanë mësuar. Ndërsa bërtet nga ana tjetër e ekranit si një prind i llastuar dhe i rehatuar, shqiptarët që jetojnë në çadrat e tërmetit vuajnë të ftohtin dhe trishtimin se nuk mund t’i bëjnë ballë virusit. Megjithëse ka ende një fije shprese për Republikën e Surrelit, t’i vërë veshin opozitës, e cila qartësisht sot po ofron jo vetëm seriozitet, por edhe po bind me atë që ofron.

Shqiptarët kanë përballë tyre më qartë se kurrë dy modele të qeverisjes; i pari nga godina private e Surrelit dhe tjetra nga zyra e punës së një kryeministri në hije. Ndaj janë të qartë se kush ua manaxhon hallet më mirë; njeriu i ekraneve apo njeriu që po ofron zgjidhjen më të mirë për qeverinë pa qenë në të. Kështu që do ta kenë më të lehtë të zgjedhin nesër kur e gjitha kjo të ketë përfunduar.