Nis sot testimi te njerëzit/ Detaje për vaksinën e koronavirusit

Pavarësisht masave të kufizimit në mbarë botën për të luftuar koronavirusin, vëmendja është te vaksina pasi ajo mund të parandalojë që njerëzit të sëmuren nga virusi.

Mësohet se janë 35 kompani dhe institucione akademike që po nxitojnë për të prodhuar vaksinën.

Katër prej tyre e kanë testuar vaksinën te kafshët. Më e avancuara duket kompania amerikane, Moderna, e cila ka dërguar provat e para për testim. Më herët ishte thënë se kompania do e nisë testimin te njerëzit në prill, por pacienti i parë do e marrë dozën eksperimentale të hënën, konfirmoi një zyrtar qeveritar.

Sipas Fox News, në testime do të përfshihen 45 të rinj të shëndetshëm që kanë dalë vullnetarë. Atyre do u injektohet vaksina mRNA 1273.

Kjo nuk është një vaksinë normale pasi ato i paraqesin trupit vetëm një molekulë që u tregon qelizave se çfarë duhet të bëjnë për të luftuar një virus.

Me fjalë të tjera, pjesëmarrësit nuk do infektohen. Qëllimi është të sigurohen shkencëtarët se ajo nuk ka efekte shqetësuese anësore.

Pavarësisht këtij zhvillimi, testimet klinike janë një proces i gjatë dhe do të duhet mbi një vit që të sigurohet se vaksina funksionon dhe mund të shpërndahet në masë. Megjithatë shpejtësia me të cilën po përparohet është rekord, edhe pse kompanitë e dinë se popullsia e trembur kërkon rezultate të shpejta.