Koronavirusi, Prof.Tritan Kalo prezanton mjekët që punojnë tek Infektivi: Jemi këtu

''Mbrëmje në shërbimin e Sëmundjeve Infektive", tregon Prof.Dr.Tritan Kalo në postimin e tij të fundit në Fb, ku prezanton me emër ekipin e mjekëve që po punojnë këto ditë tek Spitali Infektiv në Tiranë, ku po shtohen dita ditës të sëmurët me koronavirus.

"Jemi këtu në krye të detyrës së bashku me Prof. N.Çomon, Dr. N. Kryemadhin, Dr. M. Qaton, Dr. Dr.A. Domin, Dr. A. Hoxhën si dhe një grup dijeplotë e vullnetplotë infermierësh, të mbështetur nga sanitaret, koordinatoret, etj. -vijon Kalo dhe përsërit një thirrje për besim ndaj mjekëve:

""Bashkëqytetarë, ju duhet të bindeni se ato çka lexoni në shtypin botëror në lidhje me mundësitë më të fundmit terapeutike të mjekimit, të të gjitha formave klinike të COVID-19 edhe ne po ua ofrojmë të sëmurëve tanë, për të bërë të mundur shpëtimin e jetëve të tyre.

Nuk na mungojnë mjetet për t’u shërbyer, por mbi të gjitha ju sigurojmë se nuk na mungon humanizmi, dija e vullneti ynë për të bërë gjithçka të mundshme në luftën për jetën e të sëmurëve tanë.

Ju duam shumë na mirëkuptoni dhe na mirëbesoni. Njëkohësisht ajo çka na frymëzon është edhe fakti se, solidariteti dhe mbështetja e kolegëve mjekë e infermierë nuk na mungon. Bashkërisht ne do t’ia dalim mbanë!"