Hollanda thotë se ka gjetur ilaçin kundër Covid-19

Një lajm i mirë vjen për zbulimin e një kurës për Cov-19.

Një grup studiuesish holandezë janë ata që mund të kenë gjetur ‘ilaçin’ e parë të aftë për të frenuar koronavirusin.

Bëhet fjalë për një antitrup monoklonal, i specializuar në njohjen dhe bllokimin e proteinave të përdorura nga virusi që sulmon qelizat e frymëmarrjes njerëzore.

Sipas raportimit të së përditshmes ‘Il Fatto Quotidiano’ që i ka kushtuar një shkrim të gjatë ‘kurimit që vret virusin’, testimet mund të vihen në zbatim te njeriu brenda një muaji.

Studimi u krye në bashkëpunim mes Qendrës Mjekësore Erasmus dhe kompanisë bioteknologjike Harbour BioMed.

Antitrupi monoklonal lidhet me proteinën Spike që rrethon virusin dhe është në gjendje të depërtojë në qelizat e tjera, duke i penguar ato të bashkohen dhe duke bërë të pamundur shumimin e Covid-19 dhe përsëritjen e tij.

Për këtë arsye, sipas ANSA-s, shkencëtarët mendojnë se ‘ilaçi’ i ri ka potencialin ‘për trajtimin dhe parandalimin’ e sëmundjes.

‘Është një hap i parë premtues, por është shumë herët për të spekuluar mbi efektivitetin e mundshëm për njerëzit’- paralajmëroi Universiteti i Utrecht.

Antitrupi nuk është testuar te njerëzit dhe ekspertët paralajmërojnë se për ta bërë këtë, do të zgjasë ende disa muaj.

Puna e tyre është ende në shqyrtim dhe rezultatet nuk janë konfirmuar ende. Shkencëtarët shpresojnë të bindin një kompani farmaceutike për ta prodhuar atë.

E gjithë kjo do të kërkonte shumë më pak kohë sesa krijimi i një vaksine.