Rama bën thirrje për joga, 17 mijë shqiptarë pa çati mbi kokë

Me një nga videot e radhës së tij nga bunkeri i Surrelit, sot Edi Rama deklaroi se karantina do të zgjatet.

Në videon e tij, Rama u bëri thirrje shqiptarëve që të mbajnë dietë.

E për t'u treguar kontemporan, Rama u sugjeroi shqiptarëve, që janë ngujuar nga papërgjegjshmëria e qeverisë, e cila nuk mori masa për koronavirusin, që të hanë 2 herë bukë në ditë dhe të bëjnë joga, për të mbajtur trupin në formë.

Këtë tha sot ky Edi Rama, që deri para 10 ditësh mburrej me faktin se kishte siguruar fonde për rindërtimin e shtëpive pas tërmetit të 26 nëntorit.

Gjithë bota po shqetësohet për krizën ekonomike që do pasojë nga koronavirusi dhe ky nuk thotë asgjë.

FMN deklaroi se Shqipëria do goditet ekonomikisht nga koronavirusi. Çdo qeveri është duke marrë masa për të ardhmen dhe Rama rri në Surrel dhe jep urdhra.

Janë më shumë se 17 mijë shqiptarë që sot jetojnë në çadra pa një çati mbi kokë pas tërmetit dhe Rama u bën thirrje në telefon që të lajnë duart.

Mijëra shqiptarë, të cilët nuk kanë ku të rrinë dhe nuk ushqehen dot dhe Rama del në Facebook dhe bën thirrje që shqiptarët të bëjnë joga.

Në vend që të ishte në zyrën  e tij në krye të punëve për këtë situatë emergjente që nuk dihet se kur do të përfundojë, Edi Rama është ngujuar në Surrel dhe bën gallatë në Facebook.