Pas 'më shani dhe më mallkoni', Rama gjen strehë tek Papa

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar sërish sot qytetarëve shqiptarë ta mirëkuptojnë për masat shtrënguese që është detyruar të marrë qeveria për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Sot ai ka gjetur strehë tek Papa, duke u përcjellë qytetarëve një mesazh të Atit të Shenjtë, që u kërkon qytetarëve të luten për autoritetet e vendit.

Papa Françesku ka thënë: ”Le të vazhdojmë të lutemi për të sëmurët, të afërmit e tyre, prindërit me fëmijë në shtëpi, por kryesisht do t’ju kërkoja të luteshin për autoritetet. Ata duhet të marrin vendime dhe masa që njerëzit mund të i pëlqejnë, por është për të mirën tonë”.

Kjo është përpjekja e dytë e Ramës për të mos marrë mbi vete  zemërimin e miliona shqiptarëve që po ndryshojnë jetën e tyre.

Dje, nga shtëpia e tij në Surrel, ai përcolli diçka të ngjashme kur tha: “Po e përsëris, ky është vetëm fillimi fare i një lufte nervash që do të zgjasë. Askush nuk e di dhe nuk e thotë dot  sa do të zgjasë, por nuk do të jetë një histori shumë e shkurtër dhe as shumë e lehtë. Përkundrazi. Ndaj më shani dhe mallkoni mua sa të doni, por masat do të përshkallëzohen bashkë me ndëshkimet.”