Masat shtrënguese kundër koronavirusit/ Von der Leyen kundër mbylljes së kufijve

Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Europian, gjatë ditës së sotme u deklarua kundër mbylljes së kufijve, vendosur nga disa vende të BE-së për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit. “Ndalimet e udhëtimit të përgjithshëm nuk janë konsideruar si shumë efikase nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaroi shefja e ekzekutivit europian në një konference shtypi. "Përveç kësaj, ato kanë pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, ato prishin jetën e njerëzve dhe të bizneseve,” shtoi ajo duke nënvizuar se të gjitha masat duhet të jenë proporcionale". Drejtuesja gjermane kërkoi masa të kontrolleve sanitare. "Këto mund të ndodhin në kufijtë e jashtëm të BE-së ose të brendshëm, ose në territorin e shteteve anëtare”, theksoi ajo. Rekomandimet e BE për këtë çështje do t’i prezantohen 27 ministrave të Brendshëm, të mbledhur sot në Bruksel.