De Biasi mbyllet në shtëpi: Do jetë betejë e gjatë për t'u luftuar

Giani De Biasi, si të gjithë italianët tashmë, është mbyllur prej ditësh në shtëpinë e tij në Koneljano, në krahinën e Venetos, që është ndër më të goditurat nga koronavirusi.
 
Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, në një intervistë radiofonike, ka folur rreth situatës së krijuar dhe është i shqetësuar nga fakti se shumëkush nuk e ka kuptuar se sa serioze është situata, sidomos jashtë Italisë.
 
“Shpëthimi i virusit në Lombardi u zhvendos në Veneto dhe pastaj në pjesën tjetër të Italisë. Mendoj se do të përhapet në pjesën tjetër të Europës me shpëjtësi. Në Angli nuk mund të bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të lejojnë të luajnë një ndeshje të Ligës së Kampioneve me dyer të hapura për tifozët. Është një situatë e pabesueshme. As nuk dua që ta imagjinoj se sa persona që nuk shfaqin simptoma mund të ishin mes 70 mijë tifozëve të pranishëm në stadium në Liverpul.
 
Njerëzit nuk e kuptojnë se çfarë rreziku ka koronavirusi, më datë 3 prill nuk do të rifillojë asgjë, këtë virus do ta kemi me vete edhe për shumë kohë. Kjo është një emergjencë sanitare globale. Kur të shpërthejë gjithçka edhe në Amerikë do të shohim problemet që do të ketë edhe atje, duke marrë parasysh faktin se sistemi i tyre shëndetësor është privat. Kjo do të jetë një betejë e gjatë për t’u luftuar”, ishin fjalët e De Biasit.