Ja çfarë do shtohet/ Qeveria holandeze: Hapje me kusht të negociatave

Qeveria e Holandës ka rënë dakord në parim se Bashkimi Europian duhet të nisë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por teksa për Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë kusht, për Shqipërinë do ketë kushte.

Agjencia ANP raporton se ky është qëndrimi i qeverisë, ndërsa propozimi do të shkojë në parlament, i cili ka qenë në shumicë kundër nisjes së negociatave.

Pritet që ditën e sotme qeveria e Vendeve të Ulëta t’i drejtohet Parlamentit me këtë kërkesë dhe në datën 17 mars pritet që ky i fundit të japë një miratimin për ministrin e Jashtëm, për qëndrimin që do të mbajë në samitin e datës 24-25 mars, që do të mbahet pavarësisht situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit.

Por çfarë kushtesh mund të shtohen? Parlamenti holandez ka shprehur shqetësim për situatën e krimit dhe të korrupsionit, si dhe për sundimin e ligjit.

Më herët është thënë se Holanda mund të shtojë një kusht për luftën ndaj drogës. Po ashtu kushtet mund të lidhen me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, përfundimin e procesit të vetingut, rikthimit në funksion të Gjykatës së Lartë dhe ligji për mediat, për të cilin pritet një opinion nga Komisioni i Venecias.

Kushtet e reja do u shtohen atyre që kanë vendosur deputetët e parlamentit gjerman.