Do ia dalim, por Rama nuk shpëton dot...

Shqiptarët u gdhinë të premten në shtetrrethim, me masa të rrepta karantinimi që nuk janë aplikuar edhe në shtete të tjera me më shumë raste. Ky izolim është i nevojshëm për të mposhtur një armik të panjohur dhe të rrezikshëm. Shqiptarët do ia dalin siç kanë bërë gjithmonë. Por dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe ai është kryeministri Edi Rama.

Retorika e tij për sëmundjen është ajo e një karagjozi, që ndryshon brenda ditës e jo më brenda javëve.

Syri.net ka ndjekur ecurinë e sëmundjes që në ditët e para të vitit, duke iu referuar vazhdimisht ekspertit më të mirë të BBC, James Gallagher. Që në shkrimin e parë në fillim të janarit, atëherë kur sëmundja nuk transmetohej akoma nga njeriu te njeriu, e në çdo hap tjetër, ne i kemi sjellë këto zhvillime dhe po i risjellim edhe sot.

Ato ofrojnë një panoramë të armikut me të cilin po përballej bota dhe tregojnë se zgjidhja është vetëm një: izolimi i plotë dhe karantinimi. Ka edhe një zgjidhje tjetër që po e sheh bota, ajo e Koresë së Jugut, një superfuqi ekonomike dhe teknologjike.

Edi Rama e dinte se po afronte një armik i rrezikshëm, por nuk mori masa urgjente. Edhe sot ka publikuar një grafikë nga Barack Obama që tregon se izolimi e ngadalëson sëmundjen. Por ai zgjodhi gallatën, siç di të bëjë gjithmonë.

Të gjithë e dinë se sistemi ynë shëndetësor është vite drite larg nga vendet e tjera. Ai është katandisur në pikën më të ulët gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Doni një shembull për të shkulur flokët? Revista Monitor shkruan se vetëm me fitimet e një viti, koncesionarët e shëndetësisë kanë marrë mjaftueshëm sa për të ngritur një qendër spitalore moderne. Pra vetëm me fitimet e një viti për koncesione që nuk ua ka parë kush hajrin. Imagjino sa spitale do ishin ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë gjatë kësaj kohe.

Sot jemi katandisur me një kryeministër klloun që krenohet kur lyhen muret e QSUT ose kur vendoset parkimi me pagesë.

Sot kemi një kryeministër që u shpërndan mjekëve maska të skaduara dhe i quan parfum.

Sot kemi një kryeministër që një ditë tallet me sëmundjen dhe më pas i ngre tonet e alarmuara duke habitur edhe psikologët.

Sot kemi një kryeministër që u del qytetarëve edhe në celular, sikur në këtë vend të mos ketë asnjë ekspert tjetër.

Sot kemi një kryeministër që u thotë shqiptarëve se do e kalojmë këtë krizë si atë të tërmetit, kur dihet se mënyra se si menaxhoi atë situatë është po kaq shokuese.

Sot kemi një kryeministër që dikur e shëprfillte përqindjen e vdekjeve nga koronavirusi, kurse tani flet për luftë.

Shqiptarët do e kalojnë edhe këtë situatë të vështirë, por nëse nuk nxjerrin leksione për të ndëshkuar papërgjegjshmërinë në qeverisje, atëherë historia do përsëritet. Për fat të keq shqiptarëve iu përsërit brenda pak muajsh. Njëherë me tërmetin, tani me sëmundjen.