Virusi më i keq i shqiptarëve është ai në krye të qeverisë

Ditën e sotme shumë qytetarë do kenë menduar se bëhet fjalë për një tjetër virus, kur kanë dëgjuar apo parë në celular një mesazh nga kryeministri Edi Rama.

‘Edhe këtu na hyri’, thonë shumë njerëz online. Por nëse mendoni se e ka merakun se nuk po lani duart dhe nuk po kujdeseni për veten, gaboheni. Qëllimi i tij i vetëm është vetëm pushteti personal, asgjë tjetër. Edhe ky mesazh është tregues i qartë i pushtetit personal, i një njeriu që i do të gjitha për vete, që do të jetë kudo vetëm ai. Tregues më të qartë të autokracisë në vend se ky mesazh nuk ka.

Por pikërisht i njëjti njeri, që e ka katandisur shëndetësinë në gjendje të mjerueshme, që ka dëbuar me qindra mjekë dhe infermierë me politikën dhe qeverisjen e tij, tani del si protagonist në çdo sekondë të ditës nëpër ekrane, madje edhe si virus telefonik.

Kur shqiptarët nisën të shqetësoheshin për koronavirusin, ai e quante një grip dhe bënte thirrje që të mos dëgjoheshin mediat se përhapin infodeminë. Tani që ka nxjerrë ushtrinë në rrugë dhe ka izoluar në karantinë Tiranën dhe Durrësin, kush po e përhap panikun në vend?

Meqë jemi në këtë pikë, kur opozita dhe qytetarët kërkonin që të mbylleshin kufijtë e vendit, ai bënte humor nëpër daljet e pafundme përpara kamerave. Kurse tani thotë se ‘mbyllja e kufirit kur virusi u shfaq në Itali, nuk do e ndalonte koronavirusin, por do e ngadalësonte’. Çdo njeri me dy pare mend e di se një virus që nuk ka kurë, ndalon duke e ngadalësuar. Por kur ngadalësimi nis herët, ndalesa është më e shpejtë.

Prandaj mos e besoni kur thotë se e paska merakun te ju. Po ta kishte merakun te ju, nuk do i niste socialistët sot në rresht për të depozituar një padi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka bërë vetëm një gjë: i ka paraprirë me lajmërimet e tij kësaj mynxyre të radhës.

Shqiptarët janë mësuar ndër shekuj me vështirësi dhe vuajtje dhe i kanë përballuar me dinjitet. Ata e dinë se edhe kjo vështirësi do të kalojë. Por në fund ata po mësojnë se virusi që vjen nga Kina dhe Italia është i rrezikshëm, por virusin më të rrezikshëm e kanë në krye të qeverisë.