Çifti që kishte 60 vite bashkë vdes nga koronavirusi, i biri akuzon

Një çift italian, i cili kishte 60 vite bashkë, ndërruan jetë brenda dy orësh nga koronavirusi.

Severa Belotti, 82 vjeç dhe Luigi Carrara, 86 vjeç, i kaluan ditët e fundit të izoluar në shtëpinë e tyre në Albino, në provincën veriore të Bergamos.

Djali i tyre, Luca, pretendon se ata ishin ‘burgosur’ në shtëpinë e tyre për tetë ditë, pa ndihmë mjekësore dhe me temperaturë 39 gradë.

Luca tha për gazetën Corriere della Sera se babai u dërgua në spital të shtunën, kurse mamaja të dielën.

“Ata vdiqën vetëm. Kështu funksionon virusi,” tha ai.

“Njerëzit e tu të dashur mbeten vetëm dhe nuk mund t’u thuash as lamtumirë, nuk mund t’i përqafosh apo t’i ngushëllosh disi. Nuk mund t’u thuash as një gënjeshtër të mirë si për shembull ‘gjërat do shkojnë mirë’”.

Luca është karantinuar vetë me gruan dhe fëmijët.

Ai shton se situata në spital është katastrofike nga mbingarkesa. Mjekët nuk dinë kë të shpëtojnë më parë dhe zakonisht i lënë të moshuarit të vdesin.