COVID-19 shënon të parën viktimë në Greqi

Ministria greke e Shëndetësisë ka konfirmuar vdekjen e parë në vend nga koronavirusi Covid-19 në orët e para të së enjtes, njofton Kathimerini.

Viktima ishte një pacient 66-vjeçar i shtruar në Spitalin Universitar të Patras në perëndim të Greqisë, i cili u infektua nga virusi ndërsa ishte në një turne fetar me autobus në Izrael dhe Egjipt muajin e kaluar.

Disa nga udhëtarët që ishin me të janë infektuar dhe ndodhen ose në spital, ose në karantinë në kushte shtëpie.

Pacienti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u vendos në një dhomë me presion zero në 2 mars dhe u intubua në 6 mars. Gjendja e tij u bë kritike mëngjesin e 10 marsit dhe ai vdiq në 3.15 të mëngjesit të 12 marsit, pasi pësoi dëmtime të shumëfishta të organeve, citohet Ministria nga agjencia e lajmeve ”Athens-Macedonian Neës”.