Koronavirusi/ Zbulohet familja e fshehur ... aty ku lindi sëmundja

Një familje prej katër personash u gjet në tregun e qytetit Wuhan në Kinë, aty ku shpërtheu epidemia në dhjetor. Sipas ‘Corriere della Sera’, ata ishin fshehur në ‘ground zero’ të sëmundjes, pikërisht në ‘syrin e ciklonit’ të koronavirusit.

Të katër personat kishin gjetur strehë që prej janarit, duke kaluar dy muaj. Mësohet se ata u zbuluan teksa një ekip shëndetësor po bënte dezinfektimin e zonës së mbyllur.

Familja e përbërë nga babai, nëna, një fëmijë dhe gjyshi, iu nënshtrua kontrollit mjekësor. Ata nuk janë infektuar, por gjithsesi u karantinuan në një hotel.

Të katërt refuzuan të japin një shpjegim se përse vendosën të qëndrojnë në vendin që gjithë banorët e tokës e shohin si origjinën e sëmundjes. Familja shiste mish dhe peshk në treg.