Koronavirusi po 'pushton' botën, 4300 te vdekur e gati 120 mijë të infektuar

Virusi Covid-19 po vazhdon të përhapet në pjesë të ndryshme të botës. Sipas faqes së statistikave, Worldometers, deri në mëngjesin e së mërkurës në botë janë infektuar mbi 119 mijë persona, ndërsa 4300 kanë vdekur. Nga personat e infektuar, mbi 66 mijë tashmë janë shëruar.

Përpos viktimave, rreth 5 mijë e 700 persona të infektuar ndodhen në gjendje të rëndë, kurse pjesa tjetër kanë simptoma më të lehta dhe janë më mirë me shëndet.

Rastet e para së fundi u konfirmuan në Bolivi, Republikën Demokratike të Kongos, Xhamajka dhe Turqi, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shkalla e vdekjeve në nivel botëror shënoi rritje për 26 për qind nga dita paraprake. Në Itali u shënuan 168 viktima të reja, ndërsa në Iran 54. Persona të vdekur u raportuan në Monako, Francë, Japoni, Liban, Zvicër, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Në Indonezi u shënua viktima e parë. Personi i vdekur ishte një grua 53-vjeçare, e cila kishte ardhur nga një shtet i huaj. Deri më tani, në këtë vend janë konfirmuar 26 raste të infektimeve.

Kina i raportoi 22 viktima të reja të mërkurën. Të gjithë personat e vdekur ishin nga qyteti Ëuhan, ku filloi përhapja e virusit.