Ironia me kryeministrin/ 'Ju që mërziteni për maskat, s'keni parë datën e skadimit të ilaçeve'

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të PD se nëpër spitale janë shpërndarë maska të skaduara.

Duke vendosur vetë maskën në fytyrë Rama tha se të thuash që maskat janë të rrezikshme do të thotë të përhapësh panik.

Sipas tij, ato janë prodhim amerikan dhe brenda çdo parametric.

“Të thuash që këto janë maska të rrezikshme thjesht e vetëm të duash të përhapësh panik apo të harrosh që sot nuk është koha për të luftuar me qeverinë por të luftojmë bashkë si shqiptarë dhe për  shqiptarët kundër një armiku që e ka nxjerrë botën nga binarët kundër gadishmërisë së vet. Kjo e maskave është njësoj si e karantinës për të cilën sot bashkë me maskat u pretendua se ishte prova flagrante e kapjes mat të qeverisë”, tha ndër të tjera Rama gjatë mbledhjes së qeverisë.

Por as në këtë rast nuk ka munguar ironia në adresë të shefit të qeverisë.

Genc Sejko, përmes një memeje, i kujton Ramës se përveç maskave, shqiptarët përballen edhe me një tjetër problem, ilaçet e skaduara.

Nga ana tjetër, kryetari i PD, Lulzim Basha i bëri thirrje Kryeporkurorit Olsian Çela të nisë hetimet për maskat e skaduara, që siç pretendon PD, i janë shpërndarë personelit mjekësor nga ministria e Shëndetësisë. /A.R, Syri.net