Basha: Qeveria nuk mori masat e duhura në kohën e duhur

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mos panikohen nga përhapja e koronavirusit, pasi sipas tij, nuk është koha për panik, por për kujdes.

Basha sulmoi ashpër qeverinë, pasi sipas tij, personeli shëndetësor po punon me maska të skaduara, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por duke u bërë edhe burim i përhapjes së virusit te qytetarët.

‘Nuk është koha për panik, por është koha për kujdes. Kjo është një thirrje për të rritur kujdesin.

Nëse vihemi në panik nuk do të mund të kujdesemi as për veten tonë, as për familjarët tanë dhe kryesisht për të moshuarit, që kanë më shumë nevojë.

Është shumë e rëndësishme që të ndiqen me përpikëri këshillat e mjekëve, duke shmangur sa të jetë e mundur grumbullimet.

Mburoja e vetme kundër këtij virusi janë shërbimet shëndetësore. Dua të ndaj një shqetësim të jashtëzakonshëm.

Personeli shëndetësor rrezikon me maska të skaduara. Ata kthehen në viktimat e para dhe transmetues të virusit te qytetarët. Kjo është papërgjegjshmëri totale.

Spitalet janë totalisht të papërgatitura për fluksin, e kam fjalën për ata që do kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore.

Kapacitetet aktuale nuk kalojnë 120 njësi të përgatitura për të trajtuar 120 të infektuar, që ju kërcënohet jeta. Kjo është kronikë e një dështimi’, tha Basha.

Deklarata e plote e Lulzim Bashes:

Të dashur bashkëqytetarë mirëdita!

Rastet e personave të infektuar nga koronavirusi sa vinë e po rriten.

Siç ju thashë dje nuk është kohe për panik por është koha për kujdes.

Kjo është në radhë të pare një thirrje për të rritur kujdesin dhe jo panikun.

Nëse vihemi në panik nuk do të mund të kujdesemi as per vetentonë, as për familjarët tanë dhe kryesisht për të moshuarit, të sëmurët dhe përnjerëzit me imunitet të dobët të cilët kanë dhe më shumë nevojë.

Përvoja botërore tregon se në shumicën e rasteve njerëzit e kanë mposhtur këtë virus. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ndiqen me përpikmëri dhe me përgjegjshmëri këshillat e mjekëve dhe të stafit shëndetësor; duke shmangur sa të jetë e mundur daljet në ambientet publike dhe kontaktet, duke qenë përmasat e vërtetë dhe reale të infeksionit tani dhe në ditët në vijim janë akoma të panjohura.

Mburoja e vetme kundër këtij virusi janë shërbimet shëndetësore të cilat po punojnë me vetëmohim dhe në kushte aspak të përshtatshme.

Sot dua të ndaj një shqetësim të jashtëzakonshëm që prek kryesisht mjekët, infermierët dhe stafet shëndetësore.

Pak orë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike nga terreni denoncoi një fakt tronditës.

Kjo është një kuti standarde e atyre që pretendohen se janë 1 milionë e 200 mijë maska me të cilat është pajisur stafi shëndetësor, njëpërdorimshme dhe ku, nëqoftë se fokusoni kamerat tuaja, shikoni që në pjesën e poshtme të kutisë ka një pullë të mbivendosur në këtë kuti, e cila nëse hapet tregon qartë se data e skadencës së këtyre maskave është 2011-a.

Është kriminale dhe ftoj Prokurorinë të nise menjëherë hetimet për vënien në përdorim të maskave të skaduara.

Ky është krim ndaj kujtdo dhe në veçanti ndaj stafeve mjekësore që sot po sakrifikojnë gjithçka, edhe shëndetin e tyre për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve.

Ky akt është po kështu tregues i qartë se qeveria është jo vetëm e papërgatitur por dhe e papërgjegjshme.

Me vetë dije është bërë shpërndarja e maskave të skaduara për personelin shëndetësor, të cilave ju është vënë një pullë për të mbuluar datën e skadencës. Është provë e një akti të vetëdijshëm kriminal. 

Me maska të skaduara, pa mjete mbrojtëse të domosdoshme, personeli shëndetësor është i pambrojtur dhe nuk është në gjendje të kryejë detyrat e veta. Kështu rrezikohen vetë personeli shëndetësor, rrezikohen familjarët dhe rrezikohen pacientët.

Në vend që të jenë në linjën e parë të shërbimit ndaj njerëzve ata kthehen në këtë mënyrë në viktimat e para dhe në transmetues të virusit tek qytetarët dhe pacientët që kanë nevojë për ndihmë. Kjo është papërgjegjshmëri totale.

Ndërkohë spitalet janë të papërgatitura për të përballuar fluksin e pritshëm të pacientëve në nevojë, e kam fjalën për ata që do të kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore në mënyrë që të përballen me pasojat e infeksionit. Kapacitet aktuale të spitaleve shqiptare nuk kalojnë 120 njësi të tilla për të trajtuar njëkohësisht jo më shumë se 120 të infektuar që kanë nevojë për këtë trajtim, përndryshe iu kërcënohet jeta.

Kjo është kronikë e një dështimi të paralajmëruar.

Prej dy javësh kemi kërkuar marrjen e masave dhe tani që epidemia po përparon duket haptazi se qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr, nuk  ka marrë masat e duhura në kohën e duhur.

Kjo kohë është harxhuar me fjalë të kota, me vënien në gjumë të opinionit publik dhe nënvleftësim të rrezikut që iu kanoset qytetarëve shqiptarë nga epidemia e koronavirusit.

Është urgjente që kjo sjellje e papërgjegjshme të ndalet menjëherë dhe qeveria të akordojë në radhë të parë fondet e nevojshme për të pajisur stafet mjekësore dhe spitalet me mjetet e nevojshme dhe cilësorë për t’iu përgjigjur situatës së rëndë.

Ekipet tona në terren kanë raportuar pranë Task Forcës se gjendja në spitalet e Tiranës dhe në spitalet e vendit është e mjerueshme sa i përket në radhë të parë pajisjes së personelit shëndetësor me mjetet bazë; maska jo të skaduara, doreza, syze higjienike dhe bluzat e përshtatshme në mënyrë që mjekët të parët, infermierët të mos infektohen por të jenë në gjendje të shërbejnë personave që janë të infektuar apo dyshohet se janë të infektuar.

Ndërkohë që një nga faktorët kryesorë për të parandaluar përhapjen është higjiena personale, qeveria ka harruar mijëra bashkëqytetarë që ndodhen  në kushte të mjerueshme  për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe që jetojnë në mungesë të një strehe akoma nëpër çadra apo janë rikthyer në banesat e dëmtuara, në kushte aspak të favorshme higjienosanitare dhe me mungesa të theksuar në ushqime, në ujë dhe në medikamente.

Edhe njëherë të dashur qytetarë ju thirrje qytetarëve që të mos neglizhoni asnjë shenjë rëndimi apo përkeqësimi të shëndetit tuaj por t'u drejtoheni mjekëve dhe specialistëve të fushës.

I bëj thirrje mjekëve dhe specialistëve të dëgjohet zëri i tyre, të flasin qartë dhe pa ndroje, të tregojnë se çfarë mungesash kanë, të bëjnë kërkesa, të bëjnë kërkesat e tyre për mjetet që iu mungojnë sepse nesër mund të jetë shumë vonë.

Qeveritë shkojnë e vijnë, shëndeti i qytetarëve dhe personeli shëndetësor jeni parësor në këtë situatë dhe është në dorën tuaj të evidentoni mungesat dhe të bëni kërkesat që këto mungesa të plotësohen për t’iu shërbyer sa më mirë qytetarëve.

Të dashur qytetarë nuk duhet të keni asnjë fije dyshimi Shqipëria ka personel shëndetësor të shkëlqyer, profesional dhe të aftë për t’iu përgjigjur në lartësinë e duhur sfidës së çdo situate eventuale të përhapjes së koronavirusit.

Detyra e qeverisë është të sigurojë kushtet dhe jo të bëjë shfaqje apo propagandë. Jam i bindur se nëse vihen në dispozicion mjetet e nevojshme, mjekët tanë, personeli ynë shëndetësor, infermierët tanë do të përballojnë me sukses çdo situatë që mund të krijohet.

Nga ana tjetër qeveria duhet të ketë plan të saktë dhe të qartë të karantinës, e cila duhet të ishte gati, por siç mësuam fondi për ngritjen e saj është akorduar vetëm një ditë më parë.

Ashtu siç kam kërkuar edhe një ditë më parë është e domosdoshme që pas mbylljes së shkollave, kopshteve, çerdheve shteti të paguajë në rastin e sektorit publik apo të kompensojë, në rastin e punonjësve të sektorit jo publik njërin nga prindërit që të kujdeset për fëmijët.

Grupi i punës pranë Partisë Demokratike po monitoron me seriozitet masat e marra për përballimin e epidemisë dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshëm të saj, sikundër po iu përgjigjet pyetjeve dhe interesit të qytetarëve që janë të natyrshëm të shqetësuar.

Ne do të vazhdojmë t’ju mbajmë të përditësuar me informacionet tona, ndërkohë që do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të kërkojmë llogari për gjithçka që është përgjegjësi e autoriteteve. Ndërkohë edhe një herë iu bëj thirrje qytetarëve: Pa panik, por me kujdes maksimal të konsiderojmë këtë sfidë si një mundësi që përmes kujdesit të shtuar të ruajmë shëndetin tonë personal, shëndetin e familjarëve dhe shëndetin e të afërmeve tanë duke respektuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e bëra botërisht të njohura edhe nga OBSH dhe duke iu vënë veshin fjalëve të specialistëve të mjekëve dhe personelit shëndetësor.

Ju faleminderit!