Fundjavë me shira dhe shtrëngata në të gjithë vendin/ Ja kur nis rritja e temperaturave

Fundjava do të mbyllet me shi, edhe pse intensiteti i tij do të jetë në rënie. Sinoptikanët parashikojnë një ulje të lehtë të temperaturave, por brenda vlerave tipike të muajit Mars.

“Reshje të pakta dëbore në veri, verilindje dhe juglindje. Vlerat minimale do të zbresin deri në -2 C, ndërsa ato maksimale do të vijojnë të rriten duke shkuar deri në 17C.”

Duke nisur nga e hëna e 9 Marsit, moti do të përmirësohet, dhe temperaturat do të pësojnë rritje.

“Java që vjen do të jetë përgjithësisht me mot të kthjellët. Do të kemi prezencë të pakët të reshjeve të shiut kryesisht në zonat jugore e juglindore. Vlerat maksimale do të shënojnë deri në mesin e javës 21 – 22 C, pra vlera 2 -3 herë më të larta sa duhet të ishin normalisht në muajin Mars”.

Shpejtësia e erës në bregdet do të arrijë deri në 40 km/ orë, duke mos krijuar probleme për lundrimin e anijeve.

Postimi i Shërbimi Meteorologjik Ushtarak:

Përshëndetje nga SH.M.U!

Nëse keni bërë plane për fundjavën, atëherë lajme jo të mira priten sa i përket motit.

Dita e shtunë do të nisë që në orët e para të 24 orëshit me mot të vranët dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar ndërsa në zonën e jugut me intensitet deri të lartë. Duhet theksuar se në zonën e jugut, deri në orët e pasdites vonë, reshjet do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e shtrëngatave me shkarkesa elektrike.

Edhe për ditën e diel, pritet mot me vranësira mesatare dhe të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme, me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

Ju urojmë një fundjavë të mbarë!