Për ndarjen e Kosovës nuk është diskutuar asnjëherë në Washington në praninë e ambasadorit

Richard Grenell e ka quajtur lajm të rremë idenë se po synon ndarjen e Kosovës.

Sipas tij, një temë e tillë asnjëherë s’është diskutuar kur ai ka qenë prezentë në takimet ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

Ky reagim i të dërguarit të Trump për dialogun ka ardhur pasi profesori amerikan, Edward Joseph ka thënë se qëllimi i vërtetë Grenellit,  presidentit Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq është të arrijnë një marrëveshje që në thelb ka ndarjen e Kosovës.

“Lajm i rremë. Kjo kurrë nuk është diskutuar në prezencën time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Profesori Edward Joseph, në intervistë thotë se qëllimi kryesor është që të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë që nënkupton ndarjen e Kosovës.

“Qëllimi i vërtetë i Richard Grenell, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit është të arrijnë një marrëveshje dhe unë besoj që është e njëjta ose e ngjashme për atë se çfarë janë dakorduar nën udhëheqjen e Federica Mogherinit. E cila është ndarja e Kosovës, ndonjëherë e quajnë shkëmbim i territoreve, por në të vërtetë është ndarje territoriale e Kosovës, sepse nuk e dijmë sa territor të Serbisë do të marrë Kosova, ndoshta do të jetë një territor i vogël”, ka thënë Joseph për Zërin e Amerikës, edicionin në gjuhën serbe.

“Por,  qëllimi kryesor është që do të jetë një ndarje dhe ndoshta një ndarje e konsiderueshme e Kosovës dhe pyetja thelbësore është çfarë do të thotë kjo për shumicën e serbëve në Kosovë që jetojnë në pjesën jugore të lumit Ibër”, ka thënë Joseph.

Donald Trump po kërkon një marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vitin e kaluar kishte kërkuar që marrëveshje të ishte e pranueshme për të dy palët.

Mirëpo, bisedimet ende s’kanë rifilluar pasi Kosova ende vazhdon ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës. Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane.

https://www.syri.net/politike/321559/analisti-per-voa-thaci-grenell-vucic-me-planin-e-mogherinit-per-ndarjen-e-kosoves/