Conte flet para derbit të Italisë kundër Juventusit: Lojtarët të gatshëm të sakrifikojnë!

Trajneri i Interit, Antonio Conte ka folur në prag të derbit të Italisë kundër Juventusit e cila luhet të dielën në orën 20:45 në ‘Allianz Stadium’.

Ndeshje speciale për Antonio Conte, i cili rikthehet të përballet me ish-skuadrën e tij. Gjatë një reagimi për mediat, trajneri nga Salento komentoi menjëherë situatën surrealiste të futbollit italian, prej “Coronavirus”.

“Kjo është një situatë delikate. Të gjithë kemi familje. Është e pashmangshme që ajo që po ndodh të kalojë pa u vënë re nga ne, pjesa e futbollit. Nuk mund të jemi indiferentë. Situatë e pashmangshme, ndaj shpresoj që të gjithë të përballemi me situatën në mënyrën më të mirë”, u shpreh ai.

“Siç ju thash lojtarëve, ne duhet të bëjmë mirë në këto situata që të përshtatemi shpejt dhe të vazhdojmë të punojmë shumë. Lojtarët janë të jashtëzakonshëm, pasi ata janë të gatshëm të sakrifikojnë”.

“Juventus – Inter do të jetë gjithmonë një ndeshje e madhe, por gjëja më e rëndësishme është që tani kjo nënkupton edhe më shumë se po luhet për kreun e tabelës. Kjo është dëshmi për punën që kemi bërë dhe unë gjithmonë do t’u jem mirënjohës lojtarëve për ambicien e tyre”, tha Conte.

Skuadra zikaltër dëshiron një rezultat pozitiv ndaj Juventusit, për t’i rritur ambiciet e saj në garën e titullit. “Lojtarët e mi nga ky këndvështrim janë të jashtëzakonshëm, sepse gjithmonë tregojnë vetëmohim e disponueshmëri të madhe. Edhe dëshira është e tillë te të gjithë. Mezi po presim ta luajmë këtë ndeshje, që do të thotë shumë për ambiciet tona dhe klasfikimin. E jona është dëshirë dhe ambicie për të kërkuar maksimumin përmes punës. Duam ta ngremë “stekën”, t’i afrohemi sa më shumë Juves".

Në fund, një koment edhe për Getafe, kundërshtarin e radhës të Interit në “Europa League”: "Do të jetë një ballafaqim i vështirë. Getafe është zbulimi i futbollit spanjoll dhe kombinon cilësinë, sasinë dhe pragmatizmin konkurues. Është një ekip shumë kompakt dhe solid, i udhëhequr nga një trajner shumë i mirë. Ne e dimë se mund të përballemi në ndeshjen e parë me stadiumin të mbyllur, kështu që duhet të jemi në gjendje t'i përshtatemi kësaj situate”.

Super sfida do të luhet me dyer të mbyllura për shkak të frikës së përhapjes së Koronavirusit.