Princat po planifikonin puç ndaj ‘sheikut të horrorit’

BILD

Sipas raportimeve mediatike, tre princa janë arrestuar në Arabinë Saudite për shkak të pretendimeve se kishin planifikuar një grusht shteti. Mes të arrestuarve edhe një vëlla dhe një nip i mbretit Salman.

Vëllai i Salman, princi Ahmed bin Abdulasis al-Saud dhe nipi Mohammed bin Najef akuzohen për tradhti, raporton gazeta amerikane 'Wall Street Journal', pa cituar burime të specifikuara.

Të dy u arrestuan në shtëpi nga rojet mbretërore të premten, shkruan WSJ. Ata akuzohen për grushti shteti me qëllim rrëzimin e mbretit dhe princit të kurorës, Mohammed bin Salman, dhe rrezikojnë burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje.

‘New York Times’ gjithashtu raportoi për pretendimet për grusht shteti. Sipas informacioneve të saj, u arrestua edhe vëllai i vogël i princit Najef, princi Nawaf bin Najef. Autoritetet në Arabinë Saudite nuk e kanë komentuar ngjarjen.

Ekspertja: Princi i kurorës po zgjeron pushtetin

Me arrestimet, princi i kurorës, Mohammed mund të zgjerojë më tej pushtetin e tij si sundimtar de facto. Në të kaluarën, ai ka ndaluar edhe shumë klerikë, princa, sipërmarrës dhe aktivistë.

Princi Mohammed ndjehet i fuqizuar, tha ekspertja Becca Wasser e institutit Rand Corporation. “Ai tashmë ka hequr të gjitha pengesat dhe kërcënimet në rrugën e tij, duke i burgosur dhe duke i vrarë pa asnjë pasojë”.

“Arrestimet janë një hap tjetër për të rritur fuqinë e tij dhe një mesazh për të gjitha- përfshirë familjen mbretërore- që të mos i dalin në rrugën e tij”.

Sheiku dhe vrasja e gazetarit Khashoggi

Agjencitë e inteligjencës amerikane janë të bindura se Mohammed bin Salman personalisht ka urdhëruar vrasjen makabre të kritikut të regjimit dhe gazetarit të ‘Washington Post’, Jamal Khashoggi. Zinxhiri i provave nuk lë asnjë dyshim për këtë, sipas agjencive të inteligjencës amerikane.

Edhe Republika Federale e Gjermanisë e konsideron gjithashtu të provuar përfshirjen e princit të kurorës në zhdukjen misterioze të Khashoggi (kufoma e tij mund të jetë sharruar dhe tretur në acid).