Basha me fëmijët e shkollës së mbyllur: Do bëj gjithçka që njerëzit të mos ikin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndaluar në turin e tij #potëdëgjoj në Dajç të Shkodrës, ku ka vizituar fëmijët dhe prindërit e zonës në shkollën e mbyllur ‘Shtjefën Maçi’

Prindrit kanë treguar se fëmijët janë zhvendosur larg, në Dajç të Ri ose në Shkodër për të ndjekur mësimet.

Fëmijët i thanë Bashës se udhëtojnë çdo ditë me furgon në orën 6.30 për të shkuar në shkollë në Shkodër dhe kthehen pas orës 14.00, duke e bërë të mundimshme rrugën për shkollë.

Shkolla në Dajç u mbyll këtë vit për shkak të pakësimit të numrit të fëmijëve pas largimit nga Shqipëria të nxënësve dhe familjeve të tyre.

Basha premtoi: ‘Do të bëj gjithçka që njerëzit të mos ikin as nga Dajçi, as nga Shkodra dhe për këtë më duhet ndihma e të gjithëve. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqiperisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit do t'i japim fund largimit masiv të shqiptarëve’.

‘Në Dajç me nxënës dhe prindër në shkollën 9 vjecare "Shtjefën Maçi" e cila ka mbyllur dyert këtë vit për shkak të largimit të shumë banorëve të kësaj zone nga Shqipëria. Trishtimi dhe vështirësitë e këtyre fëmijëve që udhëtojnë me orë të tëra përditë për të shkuar në shkollë, duhet të marrin fund. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit, do t'i japim fund largimit masiv të shqiptarëve.#PotëDëgjoj #ditëmëtëmira’