Godet sërish Neritan Ceka: Shqiptarët, popull i pagdhendur, nuk janë gati për demokraci

Ish-ministri Neritan Ceka thotë se rikthimi i Ilir Metës në politikë do të jetë pozitiv pasi e quan politikan pragmatik, por që nuk i bindet shumë rregullave strikte.

Ceka e shpjegon kështu sjelljen e Metës si politikan: “Sot bën një koalicion me të majtën, nesër mund ta shohim në koalicion me të djathtën. Është kështjella e fundit checks and balances“, tha në emisionin “Provokacija” me Mustafa Nanon.

Ceka, i cili njihet për batutat dhe deklaratat e forta, ka “goditur” sërish duke i quajtur shqiptarët “të pagdhendur”.

“Shqiptarët janë një popull i papërgatitur për demokraci. Të presin mirë në shtëpitë e tyre, por janë të pagdhendur”, tha ai në “Provokacija”.

Para 30 qershorit, Ceka në një studio televizive mallkoi shqiptarët që do dilnin në votime duke thënë: “Jam kundër partive, të mblidhen dhe të themi: zotërinj, shqiptarë, në 30 qershor ju vraftë Zoti nëse shkoni në votime. Jeni të marrë dhe ju vraftë Zoti! I zëntë bukën e kalamajve! Ai që shkel mbi votën, iu qorrofshin syte, nuk di çfarë mallkimi tjetër të them”.

Duke folur për situatën politike në të cilën është përfshirë vendi, Ceka theksoi se në Shqipëri pushteti klonohet.

“Në Shqipëri pushteti klonohet, nuk i bindet rotacionit. Ka ligje, një Kushtetutë, por i ofrohet një elektorati që nuk i është mësuar me këtë lloj rotacioni. Impresionohen nga figura karizmatike. Popujt që preferojnë karizmatikun ndaj programatikut, do të vuajnë gjithmonë”.