15 marsi, Rama vazhdon tërheqjen/ Balla: Nuk duam ta komentojmë opinionin e Venecias

Pak minuta pas publikimit të draft-raportit të Komisionit të Venecias, i cili i jep të drejtë presidentit të Republikës, Ilir Meta lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, vjen reagimi i parë nga mazhoranca.

Është sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla, i cili mes disa fjalive në profilin e tij në Facebook thekson vetëm një gjë: "Nuk duam ta komentojmë".

Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, nuk do shqyrtohet dekreti deri në marrjen e opiononit përfundimtar nga Komisioni i Venecias.

Por ndryshe nga hera e parë kur opinioni paraprak ishte në favor të tyre, vetë mazhoranca nxorri copëza. Por sot që opinioni duket qartë që nuk është në favor të Ramës dhe të tijve, e njëjta mazhorancë kërkon heshtjen pa komente.

Reagimi i plotë Taulant Ballës:

"Komisioni i Venecias na ka vene ne dizpozicion një “draft paraprak” të Opinionit “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, për të cilin na është kërkuar nga ana e tyre të ruajmë strikt konfidencialitetin dhe të mos bëjmë asnjë koment, sepse drafti është dërguar për tu konsultuar dhe komentuar nga palët. 

Shpërndarja e copëzave apo fjalive të veçanta në raste të mëparshme të drafteve paraprake ka dëmtuar kredibilitetin e procesit të konsultimit me Komisionin e Venecias. 

Prandaj ne do të ndjekim në mënyrë strikte agjendën dhe respektojmë kërkesën për konfidencialitet  prej vete Komisionit të Venecias deri në miratimin e një opinioni final zyrtar.

Ndërkohë ekspertët tanë do të përgatisin komentet sipas kërkesës se vetë procesit, për reflektimet e pretendimeve të palëve në Opinionin Përfundimtar. Kjo do të thotë po ashtu, se deri në marrjen e Opinionit përfundimtar zyrtar, dekreti i rikthyer nga presidenca nuk do të diskutohet dhe as shqyrtohet në Kuvend, për të respektuar deri në fund Komisionin e Venecias"

Në opinionin paraprak, Komisioni i Venecias konstaton se mënyra e veprimit të KED është e dyshimtë dhe se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues.

Në pikën 104 të draftit-raportit, të siguruar edhe nga Syri.net, shpjegohet se:

“Sipas analizës së bërë më lart, veprimet e Presidentit janë në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Duke marrë parasysh interpretimin e nenit 179 të Kushtetutës, cituar më lart, veprimet e ndërmarra nga presidenti (dhe zyra e tij) janë në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës. Kështu që nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit”. 

Presidenti Ilir Meta, pas firmosjes së dekretit që kthen ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në manifestimin e 2 Marsit, paralajmëroi se do të firmosë edhe një dekret tjetër për shpërndarjen e Parlamentit, nëse qeveria nuk e merr parasysh popullin, duke i lënë afat për reflektim deri më 15 Mars.

Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë ju jap fjalën, në emër të këtij flamuri, se pas datës 15 Mars kur të përfundojë reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse ata nuk do ta marrin seriozisht popullin kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por do ta firmos në mes të parlamentit, atje në mes të krimit”, tha ndër të tjera Meta. /A.R,Syri.net