Skandali i mashtrimit ndërkombëtar/ Partneri i Olsi Ramës është djali i zyrtares së lartë

Qendra për Gazetarinë Investigative, OCCRP, e zgjeron hetimin e saj për kompaninë Milton Group, duke u fokusuar këtë herë në Shqipëri dhe në Gjeorgji.

OCCRP është pjesë e një ekipi ndërkombëtarësh gazetarësh nga 23 vende, që kanë publikuar skandalin e Milton Group, një kompani me qendër në Kiev të Ukrainës dhe me një xhiro prej 70 milionë dollarësh. Ajo operon përmes një rrjeti me callcenter në disa vende, mes tyre edhe në Shqipëri.

Këto callcenter premtojnë investime përrallore në kriptovaluta, por që rezultojnë një mashtrim i madh.

Në investigimin e radhës, OCCRP thotë se callcenter në Shqipëri është në pronësi të CTA Group dhe APA Liasion. CTA është në pronësi të APA, e cila është plotësisht në pronësi të Amant Josifit, këshilltar i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka që prej dhjetorit 2017.

Gazetarët investigative zbulojnë edhe lidhjen e Josifit me Olsi Ramën, por edhe që nëna e tij është një zyrtare e lartë.

“Josifi ka lidhje të fuqishme në Shqipëri. Ai ka qenë këshilltar zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes prej dhjetorit 2017, kur u caktua nga Olta Xhaçka, një anëtare e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.

Josifi është gjithashtu një ish-partner në biznes i vëllait të kryeministrit Ols (Olsi) Rama, me të cilin kishte në bashkëpronësi një firmë telekomunikacioni dhe telemarketingu, Pegasus Communications, derisa Josifi shiti aksionet e tij në dhjetor 2017.

Nëna e tij, Pranvera Strakosha, është një ish-gjyqtare, e cila tani është Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, një ombudsman i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të zyrtarëve publikë”, thuhet në shkrim.

https://www.syri.net/kronike/320685/njerezit-qe-lidhin-olsi-ramen-me-mashtrim-financiar-nderkombetar/