Meta rrëzon akuzat e Ramës, citon letrën drejtuar KE: 'Shpresëplotë se vendet anëtare do të mbështesin rekomandimin për të hapur negociatat!'

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje publikisht, kryeministrit Edi Rama, i cili e ka akuzuar se po minon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe ka aluduar për “kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi.

Nga Presidenca, duke iu referuar letrës që Rama ka marrë si "provë",  Meta i rrëzoi akuzat duke cituar fjalë për fjalë atë çfarë i kishte shkruar Komisionerit për Zgjerimit në KE, në të cilën theksonte ndër të tjera se "mbetem shpresëplotë që vendet anëtare të mbështesin rekomandimin tuaj për çeljen e negociatave gjatë këtij muaji,".

Meta tha: “Jo vetëm dje, por edhe sot, pas rrjedhjes nga qeveria në një televizion, në vendin tonë, ku bëhej publike letra që unë i kisha drejtuar Komisionerit për Zgjerimin, gjoja sikur ishte kundër integrimit europian dhe çeljes së negociatave, të cilën e anonçoi si gjithmonë i pari, “spektakolari Tao Tao” dhe iu bë jehonë e paparë nga “E nderuara zonja e Bilalit”, jam i detyruar në raport me të gjithë qytetarët e vendit për t’u bërë edhe njëherë të qartë, letrën që unë si President ia kisha dërguar – jo për ta bërë të ditur për publikun -  por për të ndihmuar Komisionin Europian për të qenë më i vëmendshëm në një çështje kaq kritike siç  është integriteti i Gjykatës Kushtetuese; aq më tepër që në formulimin e bërë krijohej përshtypja sikur problemi ishte krijuar nga interpretimi i ndryshëm  që kishte bërë Presidenti i Republikës -  gjë që është tërësisht e pavërtetë.

Atëherë kini pak durim:

“I dashur zoti Komisioner!

Zyra juaj lëshoi dje një raport të përditësuar mbi gjetjet e paketës së zgjerimit 2019 për Shqipërinë. E mirëpres përkushtimin dhe përpjekjet tuaja  në mbështetje të integrimit europian të vendit tim, që pret çeljen e negociatave.”

Tani i ftoj të gjithë qytetarët që ta dëgjojnë me vëmendje: “Mbetem shpresëplotë që vendet anëtare të mbështesin rekomandimin tuaj për çeljen e negociatave gjatë këtij muaji, duke marrë parasysh edhe metodologjinë më rigoroze, e cila siguron një proces më të prekshëm dhe më të qëndrueshëm të reformave të nevojshme.”

Meta në vijim e ka cituar saktësisht këtë paragraf edhe dy herë të tjera me qëllimin që ta dëgjonin akuzuesit, Edi Rama dhe Taulant balla, që me ironi i quajti "Zonja e Bilalit" dhe "Tao Tao".

Po cilat qenë akuzat e Ramës ndaj Presidentit? Mesazhet e Kryeministrit sot në Twitter:

“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin pro dhe Presidentin e vet kundër vendit e kundër vetë Brukselit..

Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin..

Shqipëria mund ta marrë, mund të mos e marrë Po-në që meriton nga Këshilli Europian, po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh, as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!.